Opozita pret rezultatet preliminare
Përfaqësues të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, iu drejtuan mediave pak kohë pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00.
Të gjithë i falënderuan qytetarët për një proces të rregullt zgjedhor, ndërsa thanë se do të presin rezultatin preliminar të zgjedhjeve nga KQZ-ja, për hapat tutje.
Zëdhënësi i fushatës së PDK-së, Blerand Stavileci, tha se kjo parti "e respekton procesin dhe do të presë numërimin përfundimtar", para se të dalë me qëndrime të tjera politike.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, tha se, sipas exit-pollit të saj, kjo parti ka marrë 24 për qind të votave - shifër që tha se do të rritet pas numërimit të votave të diasporës.
Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, tha se zgjedhjet ishin ndër më të mirat, por se nuk dëshiron të nxitojë me deklarime të mëtejshme.
Në videon më poshtë mund të shihni se çfarë presin qytetarët nga kryeministri i ri:
Arifi: Qytetarët e kanë humbur besimin në politikëbërje
Politologu Dritëro Arifi thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesëmarrja më e ulët në votime, tregon se qytetarët e kanë humbur besimin në politikëbërje.
Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja ishte dukshëm më ulët - nga mbi 48 për qind ra në rreth 40 për qind.
Sipas Arifit, mosdalja e votuesve e ka penalizuar më shumë partinë në pushtet - Lëvizjen Vetëvendosje.
Arifi, duke u thirrur në exit-polle, thotë se kjo parti do ta ketë të vështirë ta krijojë vetë Qeverinë.
Mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ai e cilëson si "pjekuri politike e shoqërisë kosovare".
Nis numërimi i votave
Me pak më shumë se 5 për qind të vendvotimeve të procesuara, KQZ-ja bën të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me 37.18 për qind të votave, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 25.10 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.28 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8.86 për qind dhe Lista për Familjen me 1.46 për qind.
Policia e Kosovës: Procesi zgjedhor kaloi i qetë dhe pa incidente serioze
Policia e Kosovës vlerësoi se procesi zgjedhor më 9 shkurt ka kaluar i qetë dhe pa ndonjë incident madhor, që do ta cenonte atë.
Ajo tha se plani i saj operacional, i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, "është realizuar me sukses në tërë territorin e Republikës së Kosovës".
Në një komunikatë për media, Policia po ashtu bëri të ditur se, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar gjashtë raste - prej tyre katër për vepra penale kundër të drejtave të votimit dhe dy për sulme ndaj personit zyrtar dhe kanosje.
"Janë trajtuar edhe disa raste të tjera, të cilat në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorët kompetentë, janë evidentuar si shënime zyrtare", tha Policia e Kosovës.