Ndërlidhjet

Simpatizantët e Vetëvendosjes duke festuar në Prishtinë.
Simpatizantët e Vetëvendosjes duke festuar në Prishtinë.

Kurti shpall fitoren

  • Me mbi 70 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje prin me 41.99 për qind, sipas KQZ-së.
  • Në vend të dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.68%, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.90% dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - Nisma me 7.56%.
  • Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shpalli fitoren, duke e vlerësuar procesin zgjedhor si të drejtë dhe demokratik.
21:13 9.2.2025

Arifi: Nga rezultatet jozyrtare, LVV do ta ketë vështirë

Politologu Dritëro Arifi thotë se rezultatet jozyrtare të zgjedhjeve tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje mund ta ketë të vështirë formimin e Qeverisë e vetme.

Sipas tij, rezultatet jozyrtare janë një sinjal për partinë në pushtet, se duhet të punojë më shumë dhe të mos mbështetet vetëm në fjalë.

Rezultatet e exit-polleve kanë treguar se Vetëvendosje ka pësuar humbje të mbështetjes për rreth 10%.

Por, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me më shumë se 23% të votave të procesuara, Vetëvendsoje ka siguruar mbi 55% të votave.

21:29 9.2.2025

Tetë persona të ndaluar për vepra penale kundër të drejtave të votimit

Prokuroria e Shtetit bëri të ditur se, ditën e zgjedhjeve, janë ndaluar 8 persona për vepra penale kundër të drejtave të votimit.

"Gjatë ditës së sotme, Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit të tyre deri në mbyllje të procesit të votimit, janë hapur katër raste kundër tetë personave, kurse informatat tjera janë duke u trajtuar", thuhet në njoftimin për mediat.

Pjesëmarrja në zgjedhje, sipas KQZ-së, ishte pak mbi 40 për qind.
Pjesëmarrja në zgjedhje, sipas KQZ-së, ishte pak mbi 40 për qind.

Policia e Kosovës tha më herët se procesi zgjedhor kaloi i qetë dhe pa incidente serioze.

21:49 9.2.2025

Shtuni: Zgjedhje shembull

Politologu Adrian Shtuni thotë për Radion Evropa e Lirë se populli i Kosovës dhe institucionet e saj treguan standarde shembullore me organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

"Mbarëvajtja e procesit zgjedhor tregon për konsolidimin e demokracisë në Kosovë", thotë Shtuni dhe shton se këto zgjedhje duhet të merren si shembull edhe nga vendet e tjera të rajonit.

Në lidhje me pjesëmarrjen më të ulët në votime, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, Shtuni thotë se ky "është një mesazh për politikanët në Kosovë" se "populli është i lodhur nga retorika agresive dhe përplasjet".

22:04 9.2.2025

Shtuni: Marrëdhëniet me SHBA-në janë jetike

Politologu Adrian Shtuni thotë se deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se marrëdhëniet me SHBA-në janë në nivelin më të mirë të mundshëm, janë një “shkëputje nga realiteti”.

Kushdo që ta formojë Qeverinë e Kosovës, sipas tij, do të duhet t’i trajtojë me seriozitet të jashtëzakonshëm këto marrëdhënie.

Ato janë jetike për Kosovën dhe popullin e saj, thotë Shtuni.

“Nëse vazhdohet me dredhi dhe premtime të pambajtura, kam përshtypjen se do të ketë probleme në këto marrëdhënie. Kushdo që ta bëjë Qeverinë e re, duhet të jetë i qartë për realitetin. Nëse nuk ka qartësi, do të ketë kosto të lartë”, thotë Shtuni për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, angazhimi i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, në Kosovë do të varet edhe nga mënyra se si do të sillet Qeveria e Kosovës.

"Unë shpresoj të ketë më shumë angazhim nga SHBA-ja për të arritur një formulë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë, por, siç e thashë, kjo varet edhe nga impenjimi i Qeverisë së Kosovës", thekson Shtuni.

Adrian Shtuni
Adrian Shtuni

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG