Përshëndetje të gjithëve,
Mirë se vini në mbulimin e drejtpërdrejtë të zgjedhjeve parlamentare që mbahen sot në Kosovë.
Me ju në orët në vazhdim do të jem unë Mimoza Sadiku.
Na ndiqni!
Hapen qendrat e votimit
Në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe ato do të jenë të mbesin të hapura deri në orën 19:00.
Mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë të drejtë vote.
Ata do të zgjedhin përbërjen e re parlamentare, e cila më pas zgjedh ekzekutivin e ri të Kosovës.
Më 8 shkurt, për herë të parë qytetarët e Kosovës në diasporë kanë mundur të votojnë në përfaqësi diplomatike në 19 shtete të ndryshme të botës. Po ashtu, dje është përmbyllur edhe procesi i votimit me postë.
Kryetari i KQZ-së voton në Pejë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka votuar në një qendër votimi në Pejë për zgjedhjet parlamentare.
Pas votimit, ai ftoi qytetarët dhe aktorët e tjerë që të respektojnë rregullat zgjedhore në ditën e zgjedhjeve.
“Ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin të votojnë”, tha Radoniqi, duke shtuar se gjithçka është gati për këtë proces.
Votimi në veri
Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, qytetarët kanë nisur votimin për zgjedhjet parlamentare.
Ata u mblodhën në qendër të qytetit dhe si në të kaluarën, bashkërisht iu drejtuan qendrave të votimit.
Qytetarëve iu bashkua edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili votoi në shkollën "Sveti Sava".
Kjo është hera e parë që qytetarët në veri u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.
Në zgjedhjet e së dielës marrin pjesë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.
Në dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është: 106.029
Numri i saktë i serbëve në Kosovë mbetet ende i panjohur. Shumica prej tyre, veçanërisht në veri të Kosovës, e bojkotuan procesin e regjistrimit të popullsisë që u zhvillua vitin e kaluar. Sipas vlerësimit të publikuar më 19 dhjetor 2024 nga Agjencia e Statistikave, në katër komuna na veri të Kosovës jetojnë rreth 20.000 serbë. Ndërkohë, në gjashtë komunat e tjera në jug të Ibrit (Graçanicë, Kllokot, Novobërdë, Partesh, Shtërpcë, Ranillug) janë regjistruar 27.316 serbë.