Ndërlidhjet

Simpatizantët e Vetëvendosjes duke festuar në Prishtinë.
Simpatizantët e Vetëvendosjes duke festuar në Prishtinë.

Kurti shpall fitoren

  • Me mbi 70 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje prin me 41.99 për qind, sipas KQZ-së.
  • Në vend të dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.68%, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.90% dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - Nisma me 7.56%.
  • Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shpalli fitoren, duke e vlerësuar procesin zgjedhor si të drejtë dhe demokratik.
12:00 9.2.2025

Presidentja Osmani: Ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për demokracinë tonë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shpreson që e mbara t’i prijë Kosovës, dhe që procesin e zgjedhjeve e sheh si shumë të rëndësishëm, meqë, sipas saj, Kosova është lidere për nivelin e demokracisë në rajon.

Ajo i ka bërë këto deklarata pasi ka votuar në një qendër votimi në Prishtinë.

“Duhet ta mbajmë të tillë [nivelin e demokracisë], dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej. Sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim, duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm, nga i cili përcaktohet parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet tjera, dhe merren vendime që kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke votuar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke votuar.

Sipas saj, njëra ndër mënyrat më të mirat për të kontribuuar në demokracinë e Kosovës, është përmes votimit, andaj i ka bërë thirrje gjithsecilit që ta bëjnë vlerësimin për politikanët që i kanë përfaqësuar, apo për ata që dëshirojnë t’i kenë në të ardhmen.

12:22 9.2.2025

PDK: Votimi po zhvillohet pa probleme

Blerand Stavileci nga Partia Demokratike e Kosovës tha në një konferencë për media se procesi i votimit po zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë problematikë të raportuar.

Ai tha se pjesëmarrja deri në orën 11:00 – që sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është 8.58 për qind – është e mirë, teksa ftoi qytetarët që të votojnë.

“Demokracia fiton kur qytetarët marrin pjesë”, tha ai.

Një qytetar duke votuar në zgjedhjet parlamentare.
Një qytetar duke votuar në zgjedhjet parlamentare.

12:37 9.2.2025

Zgjedhjet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës

Teksa votimi në Kosovë po vazhdon më 9 shkurt, një ditë më parë qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, kishin mundësi që të votonin për herë të parë në përfaqësitë diplomatike.

Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 20.324 votues të regjistruar, 15.552 ose 73.56 për qind e tyre votuan në konsullata dhe ambasada të Kosovës.

Votimi më 8 shkurt u zhvillua 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.

Po ashtu, përveç votimit në përfaqësitë diplomatike, votuesit jashtë vendit kanë mundur që të votojnë përmes postës.

Fletëvotimet nga përfaqësitë diplomatike dhe ato me postë, sipas KQZ-së, do të transportohen në Kosovë nga e hëna, ku më pas do të numërohen.

12:53 9.2.2025

LDK: Besojmë se procesi zgjedhor do të zhvillohet pa asnjë problem

Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë në zgjedhjet parlamentare.

Në një konferencë për media, ai tha se 9 shkurti është ditë e rëndësishme për demokracinë, duke theksuar se mënyra më e mirë që zëri i qytetarëve të dëgjohet është përmes votimit.

“Besojmë që procesi zgjedhor do të zhvillohet siç duhet dhe të ecë pa asnjë problem”, tha ai.

Votimi në Prishtinë.
Votimi në Prishtinë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG