Voton Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët, ka votuar në orën 9:00 në shkollën e mesme "Ali Sokoli" në Prishtinë.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin dhe të votojnë.
DnV: Disa vendvotime u hapën me vonesë
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, raportoi se 9 për qind nga 2.589 vendvotime janë hapur me vonesë për arsye të ndryshme.
“Është raportuar se shkak i vonesave për hapjen e vendvotimeve me kohë ka qenë mungesa e komisionarëve, në 6 për qind të vendvotimeve”, tha Ismet Kryeziu nga DnV.
DnV po monitoron zgjedhjet parlamentare me 500 vëzhgues që janë të vendosur në 500 vendvotime.
Kryeziu tha se nga të dhënat në terren, në 5 për qind të qendrave të votimit kanë munguar posterët informues për procesin zgjedhor.
Megjithatë, ai tha nuk raportohet për shkelje të rregullave sa i përket vendosjes së kabinave të votimit apo edhe të kamerave, të cilat tha se janë vendosur në pozita që nuk cenojnë fshehtësinë e votës.
Lexoni artikullin më poshtë lidhur me kamerat që po përdoren për të vëzhguar zgjedhjet në Kosovë:
BE: 104 vëzhgues në terren për t’i mbikëqyrur zgjedhjet në Kosovë
Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, ka thënë të dielën se 104 vëzhgues janë në terren, në kuadër të misionit, duke mbikëqyrur procesin zgjedhor në Kosovë.
“Duam të sigurohemi që të gjithë votuesit mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre”, ka thënë ajo para mediave.
Ajo ka thënë se është shumë herët të thuhet diçka për procesin, dhe ka paralajmëruar konferencë për të martën, për të përmbledhur gjithë procesin.
Serbët e zhvendosur nga Kosova votojnë në zgjedhjet parlamentare
Komisariati për Refugjatë i Republikës së Serbisë është angazhuar në "mobilizimin" e personave të zhvendosur për të votuar në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.
Më 17 janar, ai u ka bërë thirrje personave të zhvendosur nga Kosova në Serbi, që të votojnë në zgjedhje, dhe ka bërë më dije se transporti deri në vendvotime, do të organizohet për të gjithë të interesuarit.
Sipas informacioneve nga gazetarët e Radios Evropa e Lirë që janë në terren, autobusët kanë mbërritur sot në mëngjes në komunat në veri, ku shumica e votuesve votojnë me kusht.
Radio Evropa e Lirë sot ka hasur në disa prej tyre edhe në Graçanicë, siç është Zhivorad Petkoviq nga Vërnjaçka Banja.
Ai tha se ka ardhur pa probleme në Kosovë me një furgon, dhe teksa shumica votojnë në Mitrovicë, ndërsa ai ka vendosur të votojë në Graçanicë.
Miodrag Marinkoviq nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA), para mbajtjes së zgjedhjeve, ka deklaruar për REL-in se te pjesëtarët e komunitetit serb ekziston vetëdija se politika e bojkotit ka dështuar dhe se ka një numër të madh qytetarësh që do të marrin pjesë për herë të parë në zgjedhjet e Kosovës.