Hamza: Në fund sovrani vendos
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka votuar të dielën në Mitrovicë, qytetin prej nga është.
Ai i ka lutur që të gjithë qytetarët e Kosovës të votojnë, po ashtu.
“Në fund sovrani vendos, qytetarët votojnë. Për mua çdo rezultat që votojnë qytetarët e Kosovës është i pranueshëm, jam optimist. Ka qenë një fushatë e gjatë, por jam i lumtur që gjatë gjithë kohës e kemi ruajtur pozitivitetin”.
Thirrje për të dalë në votime kanë bërë edhe kandidatë tjerë për kryeministër.
Përveç Hamzës, në garë për këtë pozitë janë edhe Albin Kurti, kryeministër aktual, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Voton Albin Kurti
Kryeministri aktual, Albin Kurti, që sërish është kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, ka votuar për zgjedhjet parlamentare në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Ai inkurajoi të gjithë qytetarët që të votojnë në zgjedhjet e para të rregullta parlamentare në Kosovë.
“Ushtrojeni të drejtën tuaj demokratike për ta bërë zërin tuaj që të dëgjohet. Përdoreni shansin e lirisë për të vendosur për katër vjetët e ardhshëm”, tha Kurti.
Kandidatët e tjerë për kryeministër në këto zgjedhje janë: Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Rëndësia e votës
Më herët gjatë javës e kemi publikuar videon më poshtë, që ju rikujton pse është e rëndësishme të votoni.
Shikojeni, nëse nuk e keni ndarë mendjen ende 😊
Lumir Abdixhiku voton për zgjedhjet parlamentare
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka votuar për zgjedhjet parlamentare në shkollën Faik Konica në Prishtinë.
Abdixhiku ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të votojnë për të vendosur për “fatin e tyre dhe të Republikës së Kosovës” për katër vjetët e ardhshëm.
Kandidatët e tjerë për kryeministër janë: Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Që të gjithë ata veçse kanë votuar.