Lista Serbe thotë se i fitoi të dhjetë mandatet
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, tha se kjo parti i ka fituar dhjetë nga dhjetë mandatet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se fushata ishte "e tmerrshme dhe brutale" kundër partisë së tij, por i falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen, si dhe serbët e zhvendosur që erdhën nga Serbia për të votuar.
"Mirënjohje e madhe për Aleksandar Vuçiqin, ne kemi një shtet, një president. Ne nuk kemi shtet tjetër, e as që po e kërkojmë", tha Ellek në konferencën për gazetarë.
Pas konferencës, disa vetura me flamuj të Listës Serbe dhe të Serbisë qarkulluan nëpër rrugët e Mitrovicës së Veriut, duke u rënë borive.
Presidentja Osmani pret që KQZ-ja ta përfundojë me sukses numërimin e votave
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) do ta përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme, pas telasheve në ueb-faqen e komisionit.
“Pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë”, tha Osmani, sipas një njoftimi nga Presidenca e Kosovës në Facebook.
“Presidentja do të vazhdojë të jetë në kontakt me të gjitha institucionet përkatëse, deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar”, thuhet në njoftim.
Pas telasheve të vazhdueshme pas fillimit të numërimit të votave rreth orës 20:00, faqja e KQZ-së u rikthye dhe sipas të dhënave të fundit, deri tani janë numëruar rreth 73 për qind të votave.
Abdixhiku: Nuk është rezultati që LDK-ja donte
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij priste rezultat më të mirë dhe tha se merr përgjegjësinë për dështimin.
“LDK-ja pret t’i fitojë rreth 190 mijë vota nga ky proces zgjedhor. Duhet të jetë diku rreth 20 për qind. Është një rezultat që e respektojmë dhe përgjegjësinë për këtë rezultat e marr unë”, tha Abdixhiku në një konferencë për media në Prishtinë.
Pas numërimit të më shumë se 73 për qind të votave, LDK-ja është e treta me 17.90 për qind të votave, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Dritë do të ketë në Kosovë. Ky është rezultat demokratik. LDK-ja del me rritje të konsiderueshme nga ky proces, ndonëse rezultati nuk është i kënaqshëm në përmasat që e kemi pritur”, tha Abdixhiku.
Ai e hodhi poshtë mundësinë për të dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së.
Të dhënat e fundit nga KQZ-ja
Pas numërimit të më shumë se 73 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje prin me 41.99 për qind të votave, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.