A keni votuar?
Kanë mbetur edhe dy orë deri në mbylljen e vendvotimeve.
Për ju që nuk e keni ndarë ende mendjen, është një proces që merr vetëm disa minuta kohë, por që e forcon demokracinë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha pak minuta më herët se votimi mund të zgjatet përtej orës 19:00, vetëm nëse para një vendvotimi ka radhë njerëzish që presin për të votuar.
Se çfarë ndikimi ka vota juaj, shikojeni videon më poshtë:
KQZ: Jashtë ngjyrës, kemi masa tjera të sigurisë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se procesi i zgjedhjeve në Kosovë është duke shkuar mirë, pa ndonjë problem që do të mund ta cenonte mbarëvajtjen e tij.
Zëdhënësi Valmir Elezi foli për shqetësimet e ngritura nga disa media, se ngjyra që i vihet në gisht qytetarit pas votimit, fshihet shpejt.
Ai tha se kjo nuk është e vetmja masë e sigurisë që aplikon KQZ-ja.
"Të gjithë personat që votojnë, pasi që identifikohen me një dokument zyrtar të Republikës së Kosovës, nënshkruajnë në hapësirën tek emri i tyre, pasi votojnë. Ky nënshkrim ia pamundëson një votuesi të votojë sërish", tha Elezi.
KQZ: Pjesëmarrja e votuesve në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, mbi 75%
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se në përfaqësitë diplomatike jashtë Kosovës kanë votuar 15.352 votues nga 20.324 të regjistruar gjithsej.
Duke folur në një konferencë për gazetarët, ai tha se pjesëmarrja e votuesve në 30 përfaqësi të Kosovës, ishte 75.54 për qind.
Votimi në këto përfaqësi është zhvilluar një ditë më herët, më 8 shkurt.
Për më shumë, lajmi më poshtë:
KQZ: Mbi 28.32% ishte pjesëmarrja deri në orën 15:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare deri në orën 15:00 ishte 28.32 për qind.
Zëdhënësi Valmir Elezi tha se, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja deri në këtë orë ishte më e ulët.
"Në 91.20 për qind të vendvotimeve, deri në orën 15:00 kanë votuar 28.32 për qind, apo 558.246 votues nga 1.970.944. Deri në të njëjtën kohë, në zgjedhjet e vitit 2021 kanë votuar 32.32 për qind", tha Elezi në një konferencë për media që nisi pak pas orës 16:00.