Haradinaj bën sërish thirrje për dalje në zgjedhje
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj – njëherësh kandidat për kryeministër – u ka bërë thirrje sërish të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës.
“Kjo është dita juaj, vendimi juaj për Kosovën, për përfaqësuesit tuaj në parlament, por edhe për ata që do të jenë qeverinë e ardhshme. Me votën e juaj, ju e drejtoni Kosovën”, ka thënë Haradinaj në një konferencë të shkurtër për media.
📊 Në zgjedhjet e fundit parlamentare, hendeku gjinor është rritur në krahasim me zgjedhjet paraprake
LDK: Besojmë se procesi zgjedhor do të zhvillohet pa asnjë problem
Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë në zgjedhjet parlamentare.
Në një konferencë për media, ai tha se 9 shkurti është ditë e rëndësishme për demokracinë, duke theksuar se mënyra më e mirë që zëri i qytetarëve të dëgjohet është përmes votimit.
“Besojmë që procesi zgjedhor do të zhvillohet siç duhet dhe të ecë pa asnjë problem”, tha ai.
Zgjedhjet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës
Teksa votimi në Kosovë po vazhdon më 9 shkurt, një ditë më parë qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, kishin mundësi që të votonin për herë të parë në përfaqësitë diplomatike.
Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 20.324 votues të regjistruar, 15.552 ose 73.56 për qind e tyre votuan në konsullata dhe ambasada të Kosovës.
Votimi më 8 shkurt u zhvillua 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, që gjenden në 19 shtete të ndryshme të botës.
Po ashtu, përveç votimit në përfaqësitë diplomatike, votuesit jashtë vendit kanë mundur që të votojnë përmes postës.
Fletëvotimet nga përfaqësitë diplomatike dhe ato me postë, sipas KQZ-së, do të transportohen në Kosovë nga e hëna, ku më pas do të numërohen.