DnV: Disa vendvotime u hapën me vonesë
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, raportoi se 9 për qind nga 2.589 vendvotime janë hapur me vonesë për arsye të ndryshme.
“Është raportuar se shkak i vonesave për hapjen e vendvotimeve me kohë ka qenë mungesa e komisionarëve, në 6 për qind të vendvotimeve”, tha Ismet Kryeziu nga DnV.
DnV po monitoron zgjedhjet parlamentare me 500 vëzhgues që janë të vendosur në 500 vendvotime.
Kryeziu tha se nga të dhënat në terren, në 5 për qind të qendrave të votimit kanë munguar posterët informues për procesin zgjedhor.
Megjithatë, ai tha nuk raportohet për shkelje të rregullave sa i përket vendosjes së kabinave të votimit apo edhe të kamerave, të cilat tha se janë vendosur në pozita që nuk cenojnë fshehtësinë e votës.
Lexoni artikullin më poshtë lidhur me kamerat që po përdoren për të vëzhguar zgjedhjet në Kosovë:
Voton Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët, ka votuar në orën 9:00 në shkollën e mesme "Ali Sokoli" në Prishtinë.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin dhe të votojnë.
Pesë të ndaluar për shkelje zgjedhore
Pesë persona janë ndaluar për veprën penale “cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”, bëri të ditur Prokurori i Shtetit.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka iniciuar dy raste të ndara lidhur me këtë vepër penale, pas pranimit të informacione nga qytetarët për shkelje zgjedhore.
Prokurori i Shtetit tha se ka angazhuar afër 100 prokurorë dhe staf të sistemit prokurorial për procesin zgjedhor, në mënyrë që të procedohet çdo parregullsi e mundshme në zgjedhje.
“Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku Prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, u tha në njoftim.
Ky institucion u bëri thirrje qytetarëve, partive e institucioneve të tjera që të denoncojnë çdo rast që dyshojnë për keqpërdorim të votave.
Po ashtu, Policia e Kosovës njoftoi se po zbaton planin e saj për ditën e zgjedhje, në koordinim me Prokurorinë për të mbrojtur votën.
Pamje nga votimet në Prishtinë
Në mbarë Kosovën mëngjesin e 9 shkurtit ka nisur votimi për zgjedhjet parlamentare.
Kameramani ynë, Ibrahim Berisha, sjell pamje nga votimet në Prishtinë.