A do të votoni?
📈 Shifrat nga proceset e kaluara zgjedhore na tregojnë se prej vitit 2008, asnjëherë në zgjedhje nuk ka dalë gjysma e popullsisë.
❗ Rikujtim, dalja në zgjedhje e forcon demokracinë.
Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë të ditur se do të pranohen edhe dokumentet e identifikimit që tashmë kanë skaduar.
KQZ: Në të gjitha qendrat e votimit ka nisur procesi zgjedhor
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë, procesi i votimit ka filluar, duke shtuar se i gjithë materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë.
Gjatë konferencës së parë për media të KQZ-së, ai iu bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe tha se të drejtë vote brenda Kosovës kanë mbi 1.9 milion qytetarë.
Elezi ua kujtoi qytetarëve vendimin e KQZ-së se ata mund të identifikohen në qendrat e votimit me letërnjoftim me afat të skaduar.
Votimi në veri
Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, qytetarët kanë nisur votimin për zgjedhjet parlamentare.
Ata u mblodhën në qendër të qytetit dhe si në të kaluarën, bashkërisht iu drejtuan qendrave të votimit.
Qytetarëve iu bashkua edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili votoi në shkollën "Sveti Sava".
Kjo është hera e parë që qytetarët në veri u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.
Në zgjedhjet e së dielës marrin pjesë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.
Në dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është: 106.029
Numri i saktë i serbëve në Kosovë mbetet ende i panjohur. Shumica prej tyre, veçanërisht në veri të Kosovës, e bojkotuan procesin e regjistrimit të popullsisë që u zhvillua vitin e kaluar. Sipas vlerësimit të publikuar më 19 dhjetor 2024 nga Agjencia e Statistikave, në katër komuna na veri të Kosovës jetojnë rreth 20.000 serbë. Ndërkohë, në gjashtë komunat e tjera në jug të Ibrit (Graçanicë, Kllokot, Novobërdë, Partesh, Shtërpcë, Ranillug) janë regjistruar 27.316 serbë.
Kryetari i KQZ-së voton në Pejë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka votuar në një qendër votimi në Pejë për zgjedhjet parlamentare.
Pas votimit, ai ftoi qytetarët dhe aktorët e tjerë që të respektojnë rregullat zgjedhore në ditën e zgjedhjeve.
“Ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin të votojnë”, tha Radoniqi, duke shtuar se gjithçka është gati për këtë proces.