Ndërlidhjet

Simpatizantët e Vetëvendosjes duke festuar në Prishtinë.
Simpatizantët e Vetëvendosjes duke festuar në Prishtinë.

Kurti shpall fitoren

  • Me mbi 70 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje prin me 41.99 për qind, sipas KQZ-së.
  • Në vend të dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.68%, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.90% dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - Nisma me 7.56%.
  • Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, shpalli fitoren, duke e vlerësuar procesin zgjedhor si të drejtë dhe demokratik.
00:52 10.2.2025

Të dashur lexues,

Këtu e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë.

Për analiza të këtij procesi, na ndiqni nesër në evropaelire.org.

Faleminderit që ishit me ne!

00:51 10.2.2025

Si votoi Kosova?

Radio Evropa e Lirë transmetoi gjatë 9 shkurtit një emision special për zgjedhjet parlamentare 2025 në Kosovë. Ndiqeni reprizën më poshtë:

00:35 10.2.2025

Kurti: Do t'i vazhdojmë punët e mira

Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalli fitoren para simpatizantëve të mbledhur në një shesh të Prishtinës, në orët e para të 10 shkurtit.

“Ne do t’i vazhdojmë punët e mira që i kemi nisur në katërvjeçarin e kaluar dhe do të bëjmë shumë punë të tjera, në përputhje me zotimet tona, cep më cep Kosovës”, tha ai.

Rezultatet preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e nxorën Vetëvendosjen në vend të parë me 41.99 për qind të votave.

“Ajo që dihet nga rezultatet preliminare është se, edhe sikur të bëhen bashkë PDK-ja dhe LDK-ja, ato nuk bëhen sa Vetëvendosja”, tha Kurti.

Sipas tij, procesi zgjedhor ishte “ai i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ishte demokratik dhe pa incidente”.

“Kështu ndodh kur është Qeveria jonë në pushtet, kur ekzekutivi jemi ne”, tha kryeministri i Kosovës, Kurti, dhe falënderoi autoritetet për angazhimin e tyre.

00:28 10.2.2025

Stavileci: PDK-ja ka arritur rezultat të madh

Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, është shprehur i lumtur me rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke thënë se Partia Demokratike e Kosovës “ka arritur një rezultat të madh”.

PDK-ja ka fituar 22.68 për qind të votave pas numërimit të rreth 73 për qind të votave, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor.

“Partia Demokratike e Kosovës është konfirmuar si forca e dytë më e madhe politike në vend, me mbi 200 mijë vota. Ky është rezultati më i mirë i PDK-së në shumë vite dhe një dëshmi e qartë e besimit të qytetarëve në vizionin tonë për Kosovën”, tha Stavileci.

Duke folur në një konferencë për media, ai shtoi se “ajo çfarë pamë në këtë proces është e qartë: shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie. Ata kërkojnë qeveri të re, qeveri tjetër. Ne jemi të lumtur me këtë rezultat”.

Stavileci nuk tregoi nëse PDK-ja është e hapur për koalicion kur u pyet nga gazetarët, duke thënë se për këtë vendosin më vonë kryetari i partisë, Memli Krasniqi dhe i nominuari për kryeministër, Bedri Hamza.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG