Kuvendi nuk shkon në pushim, zgjedhja e nënkryetarit serb kalon në formatin e shortit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka marrë vendim që zgjedhja e nënkryetarit serb të kalojë në formatin me short.
Ai e ka arsyetuar këtë vendim duke e përmendur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka përcaktuar në vendimin e disa ditëve më parë se një kandidat mund të propozohet deri në tri herë.
Sllavko Simiq është propozuar tre herë dhe ka dështuar t'i marrë votat e nevojshme.
Njohësit e çështjeve të drejtësisë tërheqin vërejtjen se votimi i dy nënkryetarëve nga pakicat duhet të bëhet në pako dhe të mos ndahet sikurse tani.
Deda: Votimi për nënkryetarët është jokushtetues
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda ka thënë se votimi për nënkryetarët është jokushtetues, pasi që procesi nuk zhvillohet ndaras dhe as nuk mund të imponohen kandidatët nga deputetët e tjerë.
“Ndoshta edhe këtë do ta zgjidhë Gjykata Kushtetuese. Qëlimshëm po vazhdohet me bllokadë!”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjete sociale.
Për të dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese janë të domosdoshme nënshkrimet e 10 deputetëve.
Albert Krasniqi: Procedura për zgjedhjen e dy nënkryetarëve që përfaqësojnë komunitetet joshumicë duhet të përsëritet
Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus në Prishtinë ka thënë përmes një postimi në Facebook se procedura për zgjedhjen e dy nënkryetarëve të Kuvendit që përfaqësojnë komunitetet joshumicë duhet të përsëritet, pasi mënyra e ndjekur nuk është në përputhje me Kushtetutën.
“Zgjedhja e tyre duhet të bëhet me një votim të vetëm, në bllok, për të dy kandidatët.
Kandidati për nënkryetar nga komuniteti serb mund të propozohet vetëm nga Lista Serbe, e cila përfaqëson shumicën e deputetëve të këtij komuniteti, dhe jo nga subjekte të tjera politike”.
Sipas Krasniqit, aktivizimi i procedurës me short për përzgjedhjen e kandidatit mund të bëhet vetëm në rastet kur nuk ka propozime dhe gjithmonë në prani të deputetëve të komunitetit përkatës. Pa pjesëmarrjen e tyre, shorti nuk mund të zhvillohet.
Mes tjerash, Krasniqi ka thënë se skenari për të shteruar kandidaturat e Listës Serbe me qëllim që pozita t’i kalojë ZSPO-së së Nenad Rashiqit, nuk mund të realizohet pa miratimin e shumicës së deputetëve të këtij komuniteti.
Lulzim Peci: Loja që u zhvillua në KQZ po vazhdon në Kuvendin e Kosovës
Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) në Prishtinë, shkroi në Facebook se edhe nëse Nenad Rashiq zgjidhet nënkryetar, “ka shumë gjasa që Gjykata Kushtetuese të konstatojë se Kuvendi sot nuk është konstituar ligjërisht”.
Sipas tij, loja që u zhvillua në KQZ, kur u votua të mos certifikohet Lista Serbe për zgjedhjet lokale, po vazhdon në Kuvendin e Kosovës, “dhe kjo, për mobilizimin e militantëve në prag të zgjedhjeve lokale”.
“Mbi të gjitha, patriotizmi — pa të cilin kjo fjalë, që tashmë “shitet lirë”, nuk ka kuptim — është, para së gjithash, respektimi i ligjeve dhe i Kushtetutës së vendit; gjithçka tjetër është vetëm populizëm i lodhur. Kjo vlen për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, veçanërisht për kryetarin e sapozgjedhur, Basha”.