Ndërlidhjet

Dimal Basha urohet për zgjedhjen në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Dimal Basha urohet për zgjedhjen në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Basha ndërpret seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës në mungesë konsensusi për nënkryetarin serb

• Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës të martën, duke marrë 73 vota.

• Kuvendi zgjodhi edhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.

• Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe.

• Konstituimi i Kuvendit do t'i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

18:42

Krejt çfarë ndodhi sot në Kuvend

Përpjekja e 58-të për konstitutim të Kuvendit rezultoi pjesërisht e suksesshme.

Dimal Basha u zgjodh kryetar me votat e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje dhe të dy partive tjera të mëdha shqiptare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Sikurse këto dy parti PDK dhe AAK, ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kritikuan përzgjedhjen e Bashkës për këtë pozitë, duke mos e konsideruar të denjë.

Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala u zgjodhën nënkryetarë në një votim në pako.

Në pozitën e nënkryetares nga pakicat joserbe u zgjodh Emilja Rexhepi, për ta ndarë pozitën më vonë me rotacion me Fidan Jilltan dhe Artan Asllanin.

Megjithatë, procesi është bllokuar te votimi për nënkryetarin serb. Sllavko Simiq është propozuar tri herë nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – mirëpo nuk i ka marrë votat e nevojshme, 61 sosh.

Kryetari Basha ka konsideruar se emri i tij është shfrytëzuar, në përputhje me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese të disa ditëve më parë se një person nuk mund të kandidohet më shumë se tre herë. Lista Serbe ka insistuar se vendimi vlen për pozitën e kryetarit dhe jo për nënkryetarët.

Basha, më pas, e ka nisur një proces të propozimit me short të kandidatëve për nënkryetarin serb, por asnjëri nuk i ka marrë 61 votat e domosdoshme. Votat nuk i ka siguruar as Nenad Rashiq, kryetar i partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe ministër në Qeverinë në detyrë të Kosovës. Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje i kanë kritikuar partitë e mëdha shqiptare pse kanë votuar kundër.

Kuvendi zgjedh kryetarin, por bllokohet te nënkryetari serb
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:30 0:00

Disa njohës të çështjeve politike besojnë se procesi për konstituim të Kuvendit është jokushtetues pasi votimi për nënkryetarët nga pakicat nuk mund të ndahet, siç ka ndodhur në seancën e 26 gushtit.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen të pesë nënkryetarët dhe më pas nis rrjedhja e afatit ligjor për formim të Qeverisë.

Seanca për finalizim të konstituimit do të vazhdojë të enjten në orën 11:00.

Faleminderit që ishit me ne!


18:06

Maliqi: Ish-opozita, e paguximshme në raport me grackat populiste të Kurtit

Analisti politik, Agon Maliqi e ka kritikuar qasjen e ish-opozitës në Kosovë në seancën për konstituim të Kuvendit, duke e përshkruar qasjen e saj si të pavendosur, “as mish as peshk”, dhe ka thënë se e sheh si të paguximshme në raport me ato që i ka quajtur “gracka populiste” të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

“Për sa kohë që Lista Serbe është parti e votuar nga shumica dërmuese e serbëve dhe ligji e sheh veprimin e saj si të rregullt brenda sistemit të Kosovës, ajo do të jetë e pashmangshme në formimin e institucioneve, dhe rrjedhimisht çdo veprim përjashtues ndaj saj do ta detyrojë ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Maliqi përmes një postimi në Facebook.

Sipas tij, procesi vetëm do të zvarritet, Lista Serbe do të forcohet në sytë e komunitetit serb dhe do të thellohet imazhi negativ i Kosovës si vend që i shtyp të drejtat e pakicave.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të zgjidhen të pesë nënkryetarët dhe më pas nis rrjedhja e afatit ligjor për formim të Qeverisë.

Procesi tani është bllokuar, në mungesë konsensusi për zgjedhjen e nënkryetarit serb. Seanca për finalizim të konstituimit do të vazhdojë të enjten në orën 11:00.

17:58

Osmani shpreson që procesi i konstituimit të përmbyllet sa më parë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë të martën se mirëpret nisjen e zhbllokimit të procesit të konstituimit të Kuvendit, dhe shpreson që ai të përmbyllet sa më parë, në përputhje me Kushtetutën.

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga Presidenca, Osmani citohet të ketë thënë se shpreson që sa më parë Kuvendi të votojë edhe Qeverinë e re, si dhe e ka uruar kryetarin dhe nënkryetarët e rinj të Kuvendit.

Qeveria e re mund të formohet vetëm pasi të konstituohet plotësisht Kuvendi me kryetarin dhe pesë nënkryetarët.

Procesi tani është bllokuar, në mungesë konsensusi për zgjedhjen e nënkryetarit serb.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.


17:27

Me “langarecët” në gjuhë, Basha në karrigen e kryekuvendarit

“Langarec” është shprehja që kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka përdorur shpesh kundrejt atyre që i konsideron kundërshtarë.

Platformat e langarecave”, “loja e langarecave”, “langarecat e çuditur me Albulenën”, “AGK-ja me langareca”, “Langareca dhe oligarkë”...

Në të paktën pesë postime gjatë gushtit, kjo frazë është përdorur për të kritikuar opozitën, sistemin e drejtësisë, por edhe mediat.

Çfarë nënkupton saktësisht me këtë fjalë, nuk është krejt e qartë.

Materialin e plotë e gjeni këtu:

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG