Përshëndetje të nderuar lexues,
Po e nisim mbulimin e drejtpërdrejtë të vazhdimit të seancës konstitutive të përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Kuvendi është buzë konstituimit më në fund, pas shumë përpjekjeve.
Deputetët votuan për ta zgjedhur Dimal Bashën e Lëvizjes Vetëvendosje në postin e kryeparlamentarit.
Kjo i hap rrugën emërimit të pesë nënkryetarëve dhe përmbylljes së konstituimit të Kuvendit.
Qëndroni me ne!
Basha u zgjodh me 73 vota
Dimal Basha i Lëvizjes Vetëvendosje u zgjodh kryetar i Kuvendit me 73 vota për, 30 kundër dhe tri abstenime.
Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe një pjese të pakicave.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lista Serbe votuan kundër.
Për emërimin e kryeparlamentarit nevojiten të paktën 61 vota për.
Kuvendi në pauzë njëorëshe, para vazhdimit me emërimin e nënkryetarëve
Basha, pasi u zgjodh dhe u ul në ulësen e kryetarit, thirri pauzë prej një ore, para se deputetët të kthehen sërish në sallë për të votuar për emërimin e nënkryetarëve të Kuvendit.
Ata do të votojnë për t’i zgjedhur pesë nënkryetarë.
Tre nënkryetarët u takojnë tri partive më të mëdha shqiptare në Kuvend, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Dy kryetarët e tjerë u takojnë, një pakicës serbe dhe një pakicave të tjera në Kuvend.
Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Memli Krasniqi: Kemi votuar për ta zhbllokuar situatën
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, theksoi se partia e tij votoi për të zhbllokuar situatën e konstituimit të Kuvendit.
“Në një situatë normale, në një botë paralele, asnjëherë nuk do të votonim dikë si Dimali [Basha] në krye të Kuvendit. Por, sot kemi votuar për të zhbllokuar situatën”.
Ai tha se nuk beson që as deputetët e Vetëvendosjes janë të lumtur me zgjedhjen e Dimal Bashës për kryeparlamentar, por se kjo ishte zgjedhja e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
“Shpresoj shumë që sot do të zgjedhim edhe nënkryetarët, në mënyrë që ta konstituojmë Kuvendin dhe të hyjmë në afatet kushtetuese", tha Krasniqi.
Ai tha se PDK-ja do të propozojë Vlora Çitakun për nënkryetare.