Emri i Sllavko Simiqit sërish në votim, Basha ia përmend aktgjykimin e Kushtetueses
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i ka thënë Igor Simiqit se emri i një kandidati mund të propozohet vetëm tri herë, duke e arsyetuar deklaratën e tij me aktgjykimin e disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese se partia fituese e zgjedhjeve mund ta propozojë një kandidat vetëm deri në tre herë.
Ai ka thënë se aktgjykimi është në shërbim të parandalimit të ngërçit në Kuvend.
Megjithatë, Simiq ka insistuar në emrin e Sllavko Simiqit, duke thënë se vendimi vlen për kryetarin, por jo edhe për nënkryetarët.
Nëse nuk ndryshohet emri, Basha ka paralajmëruar propozimin me short.
Çfarë thotë rregullorja e Kuvendit për propozimin me short?
Pika shtatë përcakton se në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6, propozimi i kandidatëve bëhet me short, në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse.
Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit.
Igor Simiq propozon një orë pushim për konsultime
Kryetari i Kuvendit po konsultohet me përfaqësues të partive politike, pas kërkesës së Igor Simiqit që të ketë një orë pushim, meqë nuk po arrihet pajtueshmëri për të zgjedhur Sllavko Simiqin në pozitën e nënkryetarit.
Cakolli: Të gjitha pikat e aktgjykimit vlejnë edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë përmes një postimi në Facebook se të gjitha pikat e aktgjykimit, përfshirë obligimin për pjesëmarrje në votim, ndjekje të procedurave të parapara në Rregullore, si dhe nevojën për konsultime e kompromis, vlejnë edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.
"Mosrespektimi i tyre përbën shkelje të Aktgjykimit, që është e barasvlefshme për nga pesha juridike, sikur edhe për kryetarin. Afati 30-ditor (deri më 17 shtator) do të jetë në fuqi, deri në zgjedhjen edhe të nënkryetarit të mbetur".