Deputetët fillojnë të hyjnë në sallë
Deputetët e LDK-së, PDK-së, si dhe ata nga radhët e komuniteteve, përfshirë edhe Listën Serbe, kanë filluar të hyjnë në sallën e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive, ku pritet të zgjidhen pesë nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës.
Në sallën e Kuvendit erdhi Dimal Basha, por jo edhe deputetët e LVV-së
Në sallën e Kuvendit të Kosovës kanë ardhur pothuajse të gjithë deputetët, përveç atyre të Lëvizjes Vetëvendosje.
Seanca pritet të vazhdojë me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca konstitutive vazhdon
Në sallën e Kuvendit kanë ardhur edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Nuk dihet ende se kush do të propozohet për nënkryetar nga radhët e LVV-së, LDK-së dhe komunitetit serb.
Nga PDK-ja kanë thënë se do të propozojnë Vlora Çitakun, ndërsa nga radhët e komuniteteve joserbe pritet të propozohen Emilija Rexhepi, Fidan Jilta dhe Artan Asllani. Këta tre e ushtrojnë detyrën e nënkryetarit me rotacion.
Basha: Tetë abstenime, jo tre për zgjedhjen e kryetarit
Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka bërë të ditur se për kandidimin e tij kanë abstenuar tetë deputetë dhe jo tre, siç është thënë disa minuta më parë.