Ndërlidhjet

Dimal Basha urohet për zgjedhjen në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Dimal Basha urohet për zgjedhjen në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Basha ndërpret seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës në mungesë konsensusi për nënkryetarin serb

• Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës të martën, duke marrë 73 vota.

• Kuvendi zgjodhi edhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.

• Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe.

• Konstituimi i Kuvendit do t'i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re, pas një ngërçi të gjatë politik, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

14:16 26.8.2025

Basha: Ka konsensus për votim në pako

Kryetari Basha ka thënë se tri partitë më të mëdha shqiptare janë pajtuar për t'i votuar tre nënkryetarët në pako.

Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiun, Partia Demokratike e Kosovës e ka propozuar Vlora Çitakun, ndërsa Lidhja Demoratike e Kosovës e ka propozuar Kujtim Shalën.


14:19 26.8.2025

Zgjidhen tre nënkryetarët e Kuvendit nga partitë shqiptare

Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala janë zgjedhur nënkryetarë me vota 101 për, asnjë kundër dhe nëntë abstenime.

Dy nënkryetarë tjerë duhet të propozohen nga pakicat.

Nënkryetarja e re e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku. Foto nga arkivi.
Nënkryetarja e re e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku. Foto nga arkivi.
14:26 26.8.2025

Radhën e kanë nënkryetarët nga pakicat

Elbert Krasniqi i ka propozuar me rotacion tre kandidatë për nënkryetar nga pakicat joserbe: Emilija Rexhepin, Fidan Jillta dhe Artan Asllani.

Igor Simiq nga Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e ka propozuar për nënkryetar Sllavko Simiqin si nënkryetar nga pakica serbe.

Kryetari i Partisë Serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, e propozoi veten për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës dhe nuk u pajtua me propozimin e Listës Serbe.

Në mungesë të konsensusit, kryetari Basha ka kërkuar ndarjen e votimit për dy pozitat e nënkryetarëve, veç e veç.

14:34 26.8.2025

Çfarë thotë Kushtetuta për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve?

Neni 67, pika 4 e Kushtetutës së Kosovës thotë:

“Dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet të rezervuara ose të garantuara të komunitetit Serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG