Urime të tjera…
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ia uroi Dimal Bashës zgjedhjen në krye të Kuvendit.
“Përgëzime Kuvendit të Kosovës për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve.
"Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon”, shkroi Spiropali në Facebook.
Cila është situata në Kuvend?
Edhe pse është paralajmëruar se në orën 12:30 do të vazhdojë konstituimi i Kuvendit, më saktësisht përzgjedhja e pesë nënkryetarëve, gazetarja e REL-it, Flaka Zogu, raporton se në sallën e Kuvendit aktualisht nuk është asnjë deputet.
Aty janë vetëm gazetarët dhe kameramanët. Në sallë ishin edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, si dhe ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, por ata më pas u larguan nga salla. Ekipet e administratës së Kuvendit dhe sekretari janë në pritje për të vazhduar seanca.
Sipas Kushtetutës, tre nënkryetarët e propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare (LVV, PDK, LDK) zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Në të kaluarën, tre kandidatët e partive më të mëdha (shqiptare) janë votuar në një votim, ndërsa dy nga pakicat (një serb dhe një nga komunitetet tjera) janë votuar në një votim tjetër.
Lista Serbe: Basha nuk është figurë që mund të bashkojë deputetët
Lista Serbe shkroi në Facebook se ka votuar kundër Bashës, “për shkak të qëndrimit të tij antiserb, të cilin e përsëriti edhe në seancën e sotme të Kuvendit në Prishtinë, duke përdorur kualifikimet më të rënda ndaj popullit dhe shtetit serb”.
Në fjalimin që mbajti pas zgjedhjes si kryetar i parlamentit, Basha – sipas Listës Serbe – "tregoi se nuk është dikush që mund të bashkojë deputetët, pasi më shumë se gjysmën e fjalimit të tij ia kushtoi ofendimeve në adresë të popullit serb".
Limaj: Shpresoj se LVV do ta ketë një shpjegim para qytetarëve
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje se është vonuar në themelimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 4 shkurtit, duke thënë se ajo duhet të shpjegohet para qytetarëve.
Limaj, i cili votoi kundër Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit, tha pasi Basha u zgjodh: “Ishte votim pa marrëveshje politike, këtë kanë mundur ta bëjnë qysh në ditën e parë. Shpresoj se do ta kenë një shpjegim para qytetarëve të Kosovës”.