Abdixhiku: Një fitore e injorancës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar si “një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të saj”.
“Kosova, siç se kishim menduar asnjëherë”, shkroi ai në Facebook.
Abdixhiku tha se Basha “përfaqëson nivelin e tyre”.
“Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera kanë zgjedhur të nderojnë dhe votuesit e popullin e Kosovës”, shtoi ai.
LDK-ja e Abdixhikut votoi kundër Bashës.
“Kosova duhet të aspirojë lartë. Aksidentet politike e triumfet e injorancës historike do të kapërcejnë. Dritë një ditë do të ketë”, përfundoi ai.
Kush është Dimal Basha?
Sipas biografisë së publikuar në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.
Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në New York, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”
Basha gjithashtu ka përfunduar studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në New York.
Në politikë, Basha ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate dhe tashmë është zgjedhur për herë të tretë.
Ai ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacion, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.
Çfarë pritet të ndodhë në orën 12:30?
Në orën 12:30 pritet zgjedhja e pesë nënkryetarëve: një nga LVV, PDK dhe LDK, një nga komuniteti serb dhe një nga partitë tjera joshumicë.
Sipas Kushtetutës, tre nënkryetarët e propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për komunitetin serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për komunitetet tjera që nuk janë shumicë.
Ehat Miftaraj: Lajm i mirë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha se "nëse LVV mendon se i njëjti i përfaqëson vlerat më të mira të saj si parti, është legjitime dhe e drejtë e pakontestueshme e LVV-së të përfaqësohet nga z. Dimal Basha".
"Të shpresojmë se sot përfundon edhe zgjedhja e nënkryetarëve dhe të finalizohet konstituimi i Kuvendit për të hapur rrugën e formimit të qeverisë", shkroi Miftaraj në Facebook.
"Kur ka vullnet politik nga deputetë që interes kanë Kosovën dhe jo interesat e ngushta personale dhe partiake, lehtësisht zbatohet Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese", shtoi ai.