Time Kadrijaj: Zhvillim interesant
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, tha pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryeparlamentar se partia e saj kishte vullnet të lirë për ta mbështetur atë, por jo të gjithë votuan njësoj.
“Do të shohim se si do të zhvillohet seanca në vazhdim”, tha ajo.
Në orën 12:30 pritet zgjedhja e pesë nënkryetarëve: një nga LVV, PDK dhe LDK, një nga komuniteti serb, dhe një nga partitë tjera joshumicë.
Basha: Ndiej përgjegjësinë e madhe që më është besuar
Në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh në krye të organit ligjvënës, Basha foli për përgjegjësinë që ndien, rëndësinë e Kuvendit dhe u bëri thirrje deputetëve për bashkëpunim.
“Derisa ndiej nderin dhe mirënjohjen për votën tuaj, ndiej edhe përgjegjësinë e madhe që më është besuar. Kuvendi është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve”, tha Basha.
Ai theksoi se Kosova “është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti jonë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta: mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vetë jeta e tyre”.
“Një përulje dhe falënderim nga zemra u takon grave, vajza, pra nënave dhe motrave tona, të cilat brez pas brezi sakrifikuan, rritën, punuan në heshtje dhe ofruan dashuri dhe përkushtim. Ato ishin dhe mbesin themeli i një shoqërie të shëndoshë që ne e gëzojmë”, nënvizoi Basha.
Ai shtoi se mbrojtja e Kosovës duhet të jetë detyrë e të gjithëve, pushtetit dhe opozitës, pavarësisht se ai pret dallime të mëdha mes partive, sepse “jetojmë në një demokraci”.
“Ju bëj thirrje për bashkëpunim. Është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne e kemi guximin dhe mençurinë për të punuar së bashku për interesin më të lartë për vendin tonë”, theksoi ai.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Memli Krasniqi: Kemi votuar për ta zhbllokuar situatën
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, theksoi se partia e tij votoi për të zhbllokuar situatën e konstituimit të Kuvendit.
“Në një situatë normale, në një botë paralele, asnjëherë nuk do të votonim dikë si Dimali [Basha] në krye të Kuvendit. Por, sot kemi votuar për të zhbllokuar situatën”.
Ai tha se nuk beson që as deputetët e Vetëvendosjes janë të lumtur me zgjedhjen e Dimal Bashës për kryeparlamentar, por se kjo ishte zgjedhja e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
“Shpresoj shumë që sot do të zgjedhim edhe nënkryetarët, në mënyrë që ta konstituojmë Kuvendin dhe të hyjmë në afatet kushtetuese", tha Krasniqi.
Ai tha se PDK-ja do të propozojë Vlora Çitakun për nënkryetare.
Kuvendi në pauzë njëorëshe, para vazhdimit me emërimin e nënkryetarëve
Basha, pasi u zgjodh dhe u ul në ulësen e kryetarit, thirri pauzë prej një ore, para se deputetët të kthehen sërish në sallë për të votuar për emërimin e nënkryetarëve të Kuvendit.
Ata do të votojnë për t’i zgjedhur pesë nënkryetarë.
Tre nënkryetarët u takojnë tri partive më të mëdha shqiptare në Kuvend, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Dy kryetarët e tjerë u takojnë, një pakicës serbe dhe një pakicave të tjera në Kuvend.
Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.