Edhe pak minuta deri në mbylljen e vendvotimeve
Dita e votimit është drejt fundit. Në orën 19:00 pritet të mbyllen të gjitha vendvotimet, pos ato ku ka ende radhë njerëzish.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të mbajë konferencë për media në orën 19:30.
Në konferencën paraprake, zëdhënësi Valmir Elezi tha se procesi i votimit ka shkuar mirë, pa ndonjë problem që do ta cenonte mbarëvajtjen.
Ju kujtojmë se pjesëmarrja në votime deri në orën 15:00 ka qenë pak mbi 28 për qind.
DnV: Proces pa parregullsi serioze
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim - rrjet organizatash që monitoron proceset zgjedhore - tha se procesi i votimit, që nga hapja e deri në orën 17:00, ka kaluar pa ndonjë incident apo parregullsi serioze, që do ta komprometonin procesin zgjedhor.
"Sa i përket daljes së votuesve, deri në orën 17:00, ajo ishte 38.9 për qind në nivel vendi", tha Cakolli në një konferencë për gazetarët.
Ai tha se në Prishtinë, në Ferizaj dhe në rajonin e komunave me shumicë serbe është vërejtur dalje mbi mesataren në nivel vendi.
Sa u përket parregullsive, Cakolli veçoi problemin e pasaktësisë së listës së votuesve.
"Vëzhguesit tanë kanë raportuar se mbi 70 për qind e vendvotimeve në nivel vendi, kanë pasur deri në dhjetë raste ku votuesit nuk kanë arritur ta gjejnë vendvotimin e tyre", tha Cakolli.
"Rreth 20 për qind kanë pasur deri në 50 raste ku votuesit nuk kanë mundur të votojnë, për shkak të pasaktësisë së listës së votimit", shtoi ai.
Vendvotimet duke u mbyllur
Në orën 19:00 në të gjithë Kosovën nisi mbyllja e vendvotimeve për zgjedhjet parlamentare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të dalë në konferencë për media në 19:30, me informacione rreth pjesëmarrjes në zgjedhje dhe të tjera.
Fotografia më poshtë është e një qendre votimi në Mitrovicë të Veriut, e cila është mbyllur në orën 19:00.
Çka thanë partitë për koalicionet e mundshme paszgjedhore?
Gjatë fushatës zgjedhore, katër kandidatët për kryeministër kanë folur për mundësinë e lidhjes së koalicioneve paszgjedhore. Disa prej tyre kanë mohuar mundësinë e koaliconit me partinë në pushtet; Lëvizja Vetëvendosje e të tjerë nuk e kanë përjashtuar mundësinë e koalicioneve.