Izraeli e akuzon Iranin për shkelje të armëpushimin pak orë pasi hyri në fuqi
Përshëndetje të nderuar lexues të Radios Evropa e Lirë,
Po i mbulojmë edhe sot drejtpërdrejt zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se Irani e ka “shkelur plotësisht” armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit duke lëshuar raketa pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.
Katz theksoi se e ka urdhëruar ushtrinë izraelite t’i rifillojë sulmet ndaj caqeve paramilitare dhe qeveritare në Iran.
Izraeli tha se ka vërejtur raketa të lëshuara nga Irani në hapësirën e tij ajrore më pak se tri orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, pasi si Izraeli, ashtu edhe Irani e kishin pranuar thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës 12-ditore që ka tronditur Lindjen e Mesme.
Irani e mohon lëshimin e raketave drejt Izraelit, sipas mediave iraniane
Lajmet për një sulm me raketa nga Irani ndaj Izraelit pas hyrjes në fuqi të armëpushimit mes dy vendeve janë “mohuar”, raportuan mediat iraniane, duke cituar televizionin shtetëror.
Ushtria izraelite tha më herët se kishte vërejtur lëshimin e raketave nga Irani, ndaj të cilave ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se Izraeli do të përgjigjej “me forcë”.
Grossi mirëpret “njoftimet për situatën në Iran”
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA) ka mirëpritur, siç tha ai, njoftimet lidhur me situatën në Iran, duke iu referuar armëpushimit që tani është vënë në pikëpyetje.
“Rifillimi i bashkëpunimit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore është kyç për një marrëveshje të suksesshme. I kam shkruar Araghchit (ministrit të Jashtëm të Iranit), duke theksuar se ky hap mund të çojë drejt një zgjidhjeje diplomatike të kontestit të gjatë mbi programin bërthamor iranian dhe i kam propozuar që të takohemi së shpejti”, tha ai.
Evropa në kërkim të një roli për krizën në Lindjen e Mesme
Evropa ende po kërkon një rol në konfliktin Izrael-Iran, pasi u zu në befasi nga sulmet e SHBA-së ndaj Iranit, që u kryen në fundjavë.
Për evropianët është e drejtë të thuhet se ndihen disi të poshtëruar, pasi sulmi amerikan ndaj objekteve bërthamore të Iranit ndodhi vetëm 24 orë pas takimit që ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe përfaqësuesja e BE-së, Kaja Kallas, zhvilluan më 20 qershor në Gjenevë me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.
Ato bisedime nuk çuan në diçka konkrete, madje as në marrëveshje për takim të ri.
Por, Kallas ishte këmbëngulëse kur u pyet për këtë çështje para mbledhjes së Këshillit të Jashtëm të BE-së, më 23 qershor, duke thënë se Teherani ka filluar të hapet për çështjet e tij bërthamore dhe ato të sigurisë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ishte i të njëjtit mendim.
Ai tha se përpjekjet e Evropës nuk kanë çuar askund dhe se iranianët nuk kanë shumë dëshirë të bisedojnë.
Për më tepër, mbrëmjen e 23 qershorit, ai njoftoi se Irani dhe Izraeli janë pajtuar tashmë për armëpushim.
Më shumë rreth kësaj çështje mund të lexoni në linkun më poshtë: