Çfarë ndodhi gjatë 24 qershorit?
Të nderuar lexues, në mbyllje të këtij blogu po ju rikujtojmë edhe një herë se çfarë ndodhi gjatë ditës:
- Pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Izraeli dhe Irani janë pajtuar për një armëpushim, palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes dhe kanë shkëmbyer sulme.
- Presidenti Trump është shprehur i mllefosur me të dyja palët dhe më pas ka biseduar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
- Zyrtarë të të dyja vendeve – Izraelit dhe Iranit – e kanë pranuar ndërkohë marrëveshjen për armëpushim dhe kanë thënë se po e zbatojnë.
- Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor. Izraeli konsideron se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën, ndonëse Teherani pretendon se programin bërthamor e ka vetëm për qëllime paqësore.
- Në konflikt janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara më 22 qershor, duke sulmuar qendrat bërthamore të Iranit.
- Si kundërpërgjigje, Irani ka nisur të nesërmen raketa drejt bazës ajrore amerikane në Katar, por raketat janë rrëzuar dhe nuk është plagosur askush.
Faleminderit që na përcollët teksa raportonim për këto zhvillime në kohë reale. Më shumë informacione për situatën në Lindje të Mesme mund të gjeni këtu.
Edhe presidenti iranian e pranon armëpushimin
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian e ka lëshuar një deklaratë duke pranuar armëpushimin me Izraelin, sipas medias shtetërore.
Pezeshkian ka thënë se konflikti i është “imponuar” Iranit nga “aventurat” e Izraelit, dhe ka pretenduar se “populli i Iranit” është i vendosur për përfundim të “luftës 12-ditore”.
Ushtria izraelite e pranon armëpushimin dhe thotë se fokusi zhvendoset në Gazë
Ushtria izraelite e ka lëshuar një deklaratë përmes së cilës e pranon armëpushimin me Iranin dhe ka thënë se “fokusi tani zhvendoset sërish në Gazë”.
Gjenerali Eyal Zamir ka thënë se ushtria ka kryer “fazë të rëndësishme, por fushata kundër Iranit nuk ka përfunduar”.
“Po hyjmë në një fazë të re, të bazuar në arritjet e fazës aktuale. Kemi kthyer mbrapsht me vite projektin bërthamor të Iranit dhe e njëjta vlen për programin e tij raketor”, ka thënë ai.
Gjenerali Zamir i ka përshkruar veprimet e ushtrisë izraelite si “arritje fenomenale”.
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike i bën thirrje Iranit të rikthejë bashkëpunimin
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) Rafael Grossi ka thënë se mirëpret njoftimet e së martës për situatën në Iran.
“Rikthimi i bashkëpunimit me agjencinë është kyç për marrëveshje të suksesshme diplomatike për të zgjidhur mospajtimin për aktivitetet bërthamore të Iranit”, ka thënë Grossi.
Ai ka thënë se i ka shkruar ministrit të Jashtëm iranian për t’ia rikujtuar rëndësinë e punës së përbashkët dhe i ka propozuar një takim.
Inspektorët e agjencisë kanë mbetur në Iran përgjatë konfliktit dhe janë të gatshëm të nisin punën sa më shpejt që është e mundur, ka thënë organizata përmes një deklarate.
“Përgjatë këtyre sulmeve, ne kemi parë dëm të konsiderueshëm në disa qendra bërthamore në Iran, përfshirë objekte për pasurim të uraniumit”.
“Ne besojmë se ka pasur radioaktivitet të lokalizuar si dhe rrjedhje kimike brenda objekteve të goditura ku ka pasur material bërthamor – kryesisht uranium të pasuruar në grada të ndryshme – por që ende nuk ka raportime për rritje të nivelit të rrezatimit jashtë objektit”, ka thënë Grossi.