Ushtria e Iranit mohon se ka lëshuar raketa ndaj Izraelit pas fillimit të armëpushimit
Ushtria iraniane e ka mohuar se ka lëshuar raketa ndaj Izraelit disa orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, raportoi televizioni shtetëror iranian.
Televizioni e citoi Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit - që përfshin ushtrinë e rregullt dhe Gardën Revolucionare – që mohuan sulmin.
Ushtria izraelite tha më herët se kishte vërejtur lëshimin e raketave nga Irani, ndaj të cilave ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se Izraeli do të përgjigjej “me forcë”.
Çfarë ndodhi në orët e fundit në konfliktin Iran-Izrael?
Konflikti mes Iranit dhe Izraelit pati zhvillime dramatike gjatë orëve të fundit.
Ja një përmbledhje e shkurtër:
• Në orën 07:08, Donald Trump postoi në rrjetet sociale se një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit kishte hyrë në fuqi
• Pak më shumë se një orë më vonë, Izraeli tha se e kishte pranuar propozimin amerikan për armëpushim, ndërsa Irani tha më parë se do t’i ndalte sulmet nëse Izraeli do ta bënte të njëjtën gjë
• Më pas, në orën 09:30, ushtria izraelite tha se kishte vërejtur raketa të nisura nga Irani dhe i kishte kapur mbi veri të Izraelit
• Irani e ka mohuar të ketë lëshuar raketa, por Forcat e Mbrojtjes së Izraelit ngulën këmbë se Izraeli do të “përgjigjet me forcë”
• Para se të fillonte armëpushimi, të dyja palët shkëmbyen sulme të mëdha gjatë natës
• Mediat shtetërore iraniane thonë se valë raketash nga Izraeli kanë goditur kryeqytetin dhe qytete të tjera – të paktën nëntë njerëz janë vrarë, përfshirë një shkencëtar bërthamor
• Në Izrael, të paktën katër njerëz janë vrarë dhe 22 të plagosur në Beersheba
Pasojat nga sulmet iraniane në Izrael
Agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë publikuar pamje të sulmeve iraniane në qytetin Bersheba, në jug të Izraelit, të martën:
Irani akuzon Izraelin se kreu sulme pas armëpushimit
Izraeli ka goditur Iranin në tri faza, deri në orën 9 të mëngjesit të së martës, sipas kohës lokale, tha zëdhënësi i shtabit qendror të ushtrisë iraniane, sipas televizionit shtetëror iranian, raporton Reuters.
Televizioni shtetëror iranian tha më herët se armëpushimi do të hynte në fuqi në Iran nga ora 7:30 e së martës, sipas kohës lokale, teksa forcat e armatosura të Iranit akuzuan Izraelin për kryerje të sulmeve pas kësaj kohe.
Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare i Iranit, organi më i lartë i tij i sigurisë, tha më herët se forcat e tij të armatosura janë të përgatitura për t'iu "përgjigjur bindshëm" sulmeve të reja.