Kryeministri britanik: Armëpushimi duhet të zbatohet patjetër
Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer ka thënë se armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit duhet të zbatohet patjetër.
“Kjo është mundësi për të garantuar stabilitetin aq të nevojshëm në Lindje të Mesme. Irani nuk duhet të lejohet të zhvillojë armë bërthamore dhe duhet të kthehet në tavolinën negociuese, si dhe të punojë për një zgjidhje afatgjatë”, ka thënë ai në një postim në X – dikur Twitter.
“Ky është mesazhi që jam duke diskutuar me liderë tjerë të NATO-s sot”, ka thënë Starmer, duke iu referuar samitit të NATO-s që do të mbahet në Holandë.
Trump: Izraeli dhe Irani e dëshiruan fundin e luftës në mënyrë të barabartë
Presidenti amerikan, Donald Trump ka postuar sërish në rrjetin e tij social, Truth Social.
“Si Izraeli, ashtu edhe Irani dëshiruan t’i jepnin fund luftës, në mënyrë të barabartë”, ka thënë ai.
“Ka qenë nder i madh për mua t’i shkatërroja të gjitha objektet dhe kapacitetet bërthamore dhe më pas TË NDALJA LUFTËN”.
Presidenti ka qenë i ashpër me të dyja vendet më herët gjatë javës, duke thënë se ato e kanë shkelur armëpushimin e bërë publik nga ai.
Rusia thotë se është e gatshme të ndihmojë në zgjidhje të konfliktit
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Moska është e gatshme të ndihmojë në zgjidhje të konfliktit mes Izraelit dhe Iranit, por që nuk do të shërbejë si ndërmjetësuese.
Ai i ka bërë këto deklarata të martën në Moskë.
Ka zëra se përgjigja e Rusisë ndaj zhvillimeve në Iran mund të ketë zhgënjyer Teheranin. Sipas tyre, ky qëndrim flet edhe për rënien e ndikimit të Rusisë në Lindje të Mesme.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka reaguar të martën duke i hedhur poshtë pretendimet se Moska nuk i ka dhënë mbështetjen e duhur Teheranit.
Trump shpërndan mesazhin e shefit të NATO-s që e lavdëron për vendimmarrjen rreth Iranit
Presidenti amerikan, Donald Trump e ka shpërndarë një mesazh që ia ka nisur shefi i NATO-s, Mark Rutte, i cili e përgëzon për marrjen e “veprimeve të vendosura” në Iran.
“Urime dhe faleminderit për veprimet tuaja të vendosura në Iran, ajo ishte diçka e jashtëzakonshme dhe diçka që nuk ka guxuar ta bëjë askush. Na bën të gjithë neve më të sigurt”, është thënë në mesazh.
Megjithatë, aty nuk përmendet saktë se cilit veprim të presidentit është duke iu referuar Rutte.
Përgjatë fundjavës, Trump ka urdhëruar sulme në qendrat bërthamore iraniane dhe në 24 orët e fundit e ka shtyrë Izraelin dhe Iranin drejt një armëpushimi.
NATO-ja e ka konfirmuar se mesazhet janë të vërteta.
Në mesazh, Rutte e lavdëron Trumpin edhe që i ka shtyrë vendet e NATO-s të shpenzojnë më shumë në mbrojtje.
Presidenti Trump është duke udhëtuar drejt Holandës për të marrë pjesë në samitin e aleancës veriatlantike, ku do të takohet me Rutten dhe liderë tjerë të 32 vendeve anëtare të NATO-s.