Ulet çmimi i naftës pas arritjes së armëpushimit Izrael-Iran
Çmimet e naftës janë ulur për gati 5 për qind të martën, pasi Izraeli është pajtuar për armëpushim me Iranin, për t’i dhënë fund konfliktit 12-ditor.
Çmimi i naftës së papërpunuar ka rënë fillimisht në 68 dollarë për fuçi, ndonëse ndërkohë është rritur për pak – 69.68 dollarë për fuçi - pasi Irani dhe Izraeli e kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit pak orë pas nisjes.
Çmimet e naftës janë rritur në ditët e fundit, pas shqetësimeve se Teherani do të mund t’i pengonte furnizimet globale duke mbyllur Ngushticën e Hormuzit, rrugë kryesore detare për transportin e naftës dhe gazit.
Kuptoni më shumë në linkun më poshtë:
India mirëpret armëpushimin
India e ka mirëpritur rolin e luajtur nga Shtetet e Bashkuara dhe Katari në arritjen e armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit.
“Nuk ka alternativë ndaj dialogut dhe diplomacisë”, ka thënë Ministria e Jashtme e Indisë të martën, duke thënë se shpreson që të gjitha palët e prekura do të punojnë drejt paqes së qëndrueshme.
Kina shpreson në zbatim të armëpushimit
Kina ka thënë se nuk dëshiron të shohë “spirale të përshkallëzimit” në rajonin e Lindjes së Mesme, pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump për arritje të armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit.
Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se shpreson që “armëpushimi mund të zbatohet sa më shpejt që është e mundur”.
Kina është partnerja më e madhe tregtare e Iranit dhe klientja e vetme për blerje të naftës.
Irani i shpreh keqardhje emirit të Katarit për sulmin në bazën ushtarake
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian ka biseduar me emirin e Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, dhe i ka shprehur keqardhje për sulmin në bazën ushtarake në Katar, sipas kryeministrit të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Emiri i ka thënë presidentit iranian të martën se Katari është shtet fqinj miqësor dhe që nuk pret lëvizje që shkelin sovranitetin e vendit, ka thënë Al Thani.
“E mirëpresim njoftimin për armëpushim, pavarësisht shkeljeve që kemi parë sot. Shpresojmë që armëpushimi të zbatohet dhe u bëjmë thirrje palëve që t’i respektojnë armëpushimet e arritura”, ka thënë ai.
Një ditë më parë, Irani ka nisur raketa në drejtim të bazës ajrore amerikane në Katar, Al Udeid. Autoritetet e Katarit dhe ato të Shteteve të Bashkuara kanë thënë se raketat janë rrëzuar dhe që askush nuk është lënduar.