Hill: Rexhep Selimi nuk ishte në pozitë të lartë në UÇK
Hill tha se nuk e mban mend të ketë thënë ndonjëherë se Rexhep Selimi mbante pozitë të lartë në UÇK, “por kishte qëndrime të vlefshme”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, Hill tha se gjatë takimit në Likoc më 1998 “ne e kuptuam se Selimi do të ishte në pozitë për të na dhënë përgjigje, por në fakt ishte nga grupi i Drenicës”.
Hill shtoi se pasi “nuk morëm përgjigje, ne menduam se ai thjesht po përfaqësonte ca opinione të grupit të Drenicës”.
Rifillon seanca
Prokurori James Pach vazhdon me pyetjet e tij për Hill.
Gjykata sërish në pushim
Seanca është ndërprerë sërish për një pushim të shkurtër.
Deri në rikthim, ju kujtojmë pikat kryesore të dëshmisë sot:
- Diplomati amerikan Hill është duke vazhduar dëshminë në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi për të dytën ditë me radhë.
- Në fillim, atë e ka marrë në pyetje avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, i cili ndër të tjera e ka pytur Hillin pse ka vendosur të marrë pjesë në këtë proces gjyqësor. Hill ka thënë se nuk besonte, dhe as nuk kishte dëgjuar që Thaçi të kishte urdhëruar në kohë të luftës aktivitete të paligjshme, prandaj e ndjeu të nevojshme që të thoshte atë që dinte.
- Më pas, fjalën e ka marrë avokati i Jakup Krasniqit. Përgjatë asaj kohe, Hill ka deklaruar se nuk ka besuar që Jakup Krasniqi ka qenë një nga figurat kryesore në UÇK.
- Në fakt, sipas Hillit, ky ka qenë problem i madh për amerikanët, meqë u është dashur të bëjnë udhëtime të rrezikshme nëpër zona të ndryshme të konfliktit në Kosovë, në përpjekje për të gjetur njerëz që mund të flisnin në emër të grupit, që më pas të mund të negocionin me ta.
- Në pjesën e mbetur të ditës dhe në ditët në vijim, Hill do të merret në pyetje nga prokuroria. Ai ka thënë përgjatë dëshmisë së tij se ka qenë i vetëdijshëm për mospajtimet mes shqiptarëve, por që ky aspekt nuk ka qenë shqetësim për të, meqë misioni i tij ka qenë ndalja e luftimeve mes shqiptarëve dhe serbëve.
Pjesën e mbetur të ditës do të jeni me kolegun Ekrem Idrizi. Unë Krenare Cubolli ju falënderoj për vëmendjen.
Vazhdoni të qëndroni me ne!
Hill: Po kërkonim të gjenim njerëz të UÇK-së në Drenicë
Përgjatë dëshmisë së tij, Hill po diskuton me prokurorin për një udhëtim që e ka realizuar me disa zyrtarë amerikanë dhe shqiptarë me makinë, në kërkim të njerëzve të UÇK-së në Drenicë, për të diskutuar situatën e atëhershme.
Duke folur prej perspektivës sot, Hill ka thënë se ka qenë ide e keqe që të realizohej ai udhëtim, meqë përgjatë rrugës ka pasur shumë të shtëna, që mund t’ua rrezikonin jetën.
Hill ka kujtuar që i është thënë se të shtënat janë kryer nga forcat serbe, për t'ua pamundësuar një takim me njerëzit e UÇK-së.
"Kjo përpjekje për të shkuar në vende si në Kijevë dhe Shtime, dhe vende tjera, ishin përpjekje për të gjetur njerëz të UÇK-së, sepse në atë periudhë kohore nuk e dinim kush fliste në emër të UÇK-së. Ky ishte frustrim i vazhdueshëm për neve kur dëgjonim njerëzit që thoshin se kush ishte përgjegjësi i gjërave dhe më pas thoshin ‘jo nuk është ky, është dikush tjetër’. Pra, ishte një situatë në të cilën ne nuk mund të mbështeteshim te të tjerët, duhej të shkonim dhe ta shihnim vetë”.