Lexues të nderuar,
Këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të ditës së dytë të dëshmisë së Christopher Hill, ish i dërguari i posaçëm i SHBA-së gjatë luftës në Kosovë, për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, ku ai po gjykohet për krime lufte, të cilat i mohon.
Ai do ta vazhdojë dëshminë nesër në orën 9:00.
Edhe në ditën e dytë të dëshmisë, ai foli për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.
Në fillim, Hill u mor në pyetje nga avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, i cili ndër të tjera e pyeti Hillin pse ka vendosur të marrë pjesë në këtë proces gjyqësor. Hill ka thënë se nuk besonte, dhe as nuk kishte dëgjuar që Thaçi të kishte urdhëruar në kohë të luftës aktivitete të paligjshme, prandaj e ndjeu të nevojshme që të thoshte atë që dinte.
Më pas, fjalën e ka marrë avokati i Jakup Krasniqit. Përgjatë asaj kohe, Hill ka deklaruar se nuk ka besuar që Jakup Krasniqi ka qenë një nga figurat kryesore në UÇK.
Në fakt, sipas Hillit, ky ka qenë problem i madh për amerikanët, meqë u është dashur të bëjnë udhëtime të rrezikshme nëpër zona të ndryshme të konfliktit në Kosovë, në përpjekje për të gjetur njerëz që mund të flisnin në emër të grupit, që më pas të mund të negocionin me ta.
Ai ka thënë përgjatë dëshmisë së tij se ka qenë i vetëdijshëm për mospajtimet mes shqiptarëve, por që ky aspekt nuk ka qenë shqetësim për të, meqë misioni i tij ka qenë ndalja e luftimeve mes shqiptarëve dhe serbëve.
Hill tha se nuk e mban mend të ketë thënë ndonjëherë se Rexhep Selimi – një nga të akuzuarit në këtë proces – mbante pozitë të lartë në UÇK, “por kishte qëndrime të vlefshme”.
Hill dëshmoi se nuk është i sigurt nëse Hashim Thaçi ka qenë një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nuk e di nëse Hashim Thaci ka qenë njëri nga themeluesit e UÇK-së dhe fakti që unë nuk e kam hasur emrin e tij deri më vonë gjatë vitit, me sugjeron që ai nuk ka qenë”, tha Hill.
Ai gjithashtu tha se nuk mbante në mend që çështje të personave të ndaluar nga UÇK-ja ishin diskutuar në takimet e tij me Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së në Kosovë gjatë vitit 1998.
Hill: Nuk më kujtohet nëse në takimin me Thaçin dhe të tjerët u diskutua për persona të ndaluar
Hill tha se nuk e mban në mend nëse gjatë takimit të tij me Hashim Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së në nëntor të vitit 1998 në Dragobil ishte diskutuar për persona të ndaluar nga UÇK-ja.
“Në atë takim, nuk më kujtohet të jetë bërë një diskutim i tillë. Kanë kaluar rreth 27 vjet. Më kujtohet që ishte diskutuar nëse UÇK-ja do të ishte e gatshme të diskutonte për çështje që ishin ngritur në marrëveshjen e Rambujesë.
Hill: Më vonë mësova se Thaçi shkoi në Shqipëri para bisedimeve në Paris
I pyetur nëse e dinte që Hashim Thaçi kishte mbajtur takime me krerët e shtetit në Shqipëri gjatë kohës mes konferencës së Rambujesë dhe bisedimeve në Paris më 1999, Hill u përgjigj se fillimisht, në atë kohë, nuk ishte në dijeni.
Hill shtoi se “më vonë kam mësuar se kishte shkuar në Shqipëri, por nuk mund ta them se kur kishte ndodhur”.
“Shtetet e Bashkuara ishin në kontakt me Shqipërinë dhe e dinin se shteti shqiptar mbështeste procesin e Rambujesë”, theksoi Hill.
Sa për dijeni, bisedimet në Rambuje u mbajtën në shkurt 1999, dhe pasi nuk kishte marrëveshje, pati bisedime në Paris në mars 1999.
Përfundimisht, pala kosovare e pranoi marrëveshjen, ndërsa pala serbe e hodhi poshtë, duke nxitur fushatën e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe, çka hapi rrugën për pavarësimin e Kosovës më vonë.
Rifillon seanca pas pushimit të drekës.
Gjykatësi urdhëroi që ajo të mbahej në privatësi për disa minuta dhe tha se gjykata do ta njoftojë publikun të mërkurën në mëngjes rreth asaj çfarë u diskutua në privatësi.