Ndërlidhjet

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë më 21 qershor 2025.
Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë më 21 qershor 2025.

Drejtpërdrejt SHBA godet objektet bërthamore të Iranit, Teherani paralajmëron për pasoja

E përditësuar

SHBA-ja njoftoi se ka sulmuar tre impiante bërthamore të Iranit.

Objektet bërthamore Fordo, Natanz dhe Esfahan janë “shkatërruar plotësisht” sipas presidentit amerikan, Donald Trump.

Ushtria amerikane ka përdorur 14 bomba për shkatërrimin e bunkerëve, GBU-57, dhjetëra raketa Tomahawk dhe mbi 125 avionë luftarakë gjatë operacionit.

Trump i kërkoi Iranit që të bëjë paqe, në të kundërtën tha se sulmet do të vazhdojnë.

Irani ka dënuar sulmet dhe tha se i rezervon vetes të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin e tij.

Shtetet nga e mbarë bota kanë bërë thirrje për bisedime dhe ulje të tensioneve.

Demokratët akuzuan Trumpin se “dështoi të kërkonte autorizim nga Kongresi për përdorimin e forcës ushtarake dhe rrezikon përfshirjen e Amerikës në një luftë të rrezikshme në Lindjen e Mesme”.

17:24

Sulmet e SHBA-së ndaj Iranit: Goditje për Rusinë apo mundësi për Putinin?

Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të kryer sulme ndaj Iranit paraqet njëkohësisht rrezik dhe mundësi për presidentin rus, Vladimir Putin: sulmet goditën një partner strategjik të Moskës, por mund të hapin një dritare të re për rëndësinë diplomatike të Rusisë.

Pas sulmeve të SHBA-së ndaj nyjeve kyç të kompleksit bërthamor iranian, Teherani po kthen sytë nga Moska.

Artikullin e plotë e gjeni më poshtë:

16:49

Grossi: Është i paqartë dëmi i shkaktuar në Fordo

Përderisa është e qartë se sulmet amerikane goditën centralin nëntokësor bërthamor të Iranit, Fordo, ende nuk ka mundësi që të vlerësohet dëmi i shkaktuar atje.

Kështu tha për CNN, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore, Rafael Grossi.

Inspektorët e kësaj agjencie të OKB-së nuk kanë mundur të inspektojnë këtë central bërthamor që nga sulmet e para ajrore të kryera nga Izraeli më 13 qershor ndaj Iranit. Grossi tha se shpreson që ekipi i tij të mund të shkojë në këtë impiant nëntokësor sa më shpejt për të vlerësuar dëmet e shkaktuara.

Ai tha se nuk mund të përjashtohet mundësia që në Fordo ka dëme të mëdha.

Grossi shtoi se “ne duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur, inspektorët duhet të jenë në gjendje të kthehen në objektet bërthamore të Iranit.

15:56

Irani: Nuk mund të shkatërrohen njohuritë në fushën bërthamore

Irani tha se njohuritë në fushën bërthamore “nuk mund të shkatërrohen”, pasi SHBA-ja tha se ka shkatërruar ambiciet nukleare të Republikës Islamike.

“Ata duhet ta dinë se kjo industri ka rrënjë në shtetin tonë dhe rrënjët e kësaj industrie kombëtare nuk mund të shkatërrohen”, tha zëdhënësi i Organizatës për Energji Bërthamore të Iranit, Behrouz Kamalvandi, sipas agjencisë Tasnim.

“Sigurisht, ne kemi pësuar dëme, por nuk është hera e parë që kjo industri pëson dëme”, shtoi ai.

Kratere të krijuara nga sulmet amerikane në centralin nëntokësor bërthamor Fordo.
Kratere të krijuara nga sulmet amerikane në centralin nëntokësor bërthamor Fordo.
15:35

Fordo, para dhe pas sulmeve

Në fotogalerinë e mëposhtme mund të shihni imazhet satelitore që shfaqin centralin bërthamor Fordo, para dhe pas sulmeve të SHBA-së.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG