Përshëndetje,
Përmes këtij blogu do të ju sjellim informacionet e fundit rreth zhvillimeve në Lindjen e Mesme, pasi SHBA-ja kreu sulme ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i bëri thirrje Iranit që të bëjë paqe, duke thënë se në të kundërtën sulmet do të vazhdojnë.
Trump tha se ushtria amerikane, së bashku me atë izraelite, kanë goditur objektet bërthamore Fordo, Natanz dhe Esfahan.
Trump tregon qëllimin e sulmeve ndaj Iranit
Presidenti Trump tha se qëllimi i sulmeve amerikane është shkatërrimi i kapaciteteve të Iranit që të pasurojë uranium dhe që Republika Islamike të mos paraqesë më kërcënim bërthamor.
Udhëheqësi amerikan pretendoi se të tri objektet bërthamore të goditura nga bombarduesit amerikanë janë shkatërruar tërësisht.
Izraeli mirëpret përfshirjen e SHBA-së në konflikt
Izraeli, që nisi sulmet ndaj Iranit më 13 qershor, ka mirëpritur përfshirjen e SHBA-së në konflikt.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sulmet paraqes një moment historik që mund ta çojnë Lindjen e Mesme drejt paqes.
“Urime president Trump. Vendimi juaj i guximshëm për të goditur objektet bërthamore të Iranit me fuqinë e jashtëzakonshme dhe të drejtë të SHBA-së do ta ndryshojë historinë”, tha Netanyahu përmes një video-adresimi.
Izraeli ka thënë se dëshiron që të mos e lejojë Iranin që të ketë armë bërthamore.
Irani paralajmëron SHBA-në për pasoja
Irani tha se sulmet amerikane ndaj objekteve bërthamore janë “shkelje e rëndë” e Kartës së OKB-së, të drejtës ndërkombëtare dhe Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.
Kryediplomati iranian, Abbas Araqchi, tha se zhvillimet e mëngjesit të sotëm ishin “tronditëse”, duke e paralajmëruar SHBA-në për pasoja.
“Në përputhje me Kartën e OKB-së dhe dispozitat e saj që lejojnë reagim të ligjshëm në vetëmbrojtje, Irani rezervon të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesat dhe popullin e vet”, shkroi ai në X.