Lexues të nderuar,
Këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Në 18 komuna, qytetarët zgjodhën kryetarët e rinj, përfshirë në qendra të mëdha, si Prishtina, Mitrovica e Jugut, Prizreni dhe Gjakova.
Në videon e mëposhtme iu sjellim të përmbledhur se kush, ku fitoi.
Faleminderit që na ndoqët!
Çeku uron Ramën për fitoren në Prishtinë
Kandidati i LVV-së për Prishtinën, Hajrulla Çeku, i ka uruar fitoren në zgjedhjet lokale në kryeqendrën kosovare, Përparim Ramës nga LDK-ja.
“E uroj z. Rama për fitoren dhe i uroj me zemër kryeqytetit tonë, Prishtinës, që përnjëmend të dalë nga kaosi në të cilin është futur. Unë do të vazhdoj të jem në shërbim të Prishtinës, me të njëjtin përkushtim dhe dashuri, për këtë qytet që të gjithë e quajmë shtëpi”, shkroi ai në Facebook.
Ai falënderoi çdo qytetar që e votoi në dy rundet zgjedhore.
Çeku, që sipas rezultateve preliminare, fitoi 48.46 për qind të votave, tha se LVV-ja do të jetë opozitë në Kuvendin komunal të Prishtinës dhe do të “përcjellim secilin hap” që qeverisja komunale do të ndërmarrë, “duke u siguruar që interesi i qytetarëve dhe i qytetit të mbrohet deri në fund”.
KQZ shpall rezultatet preliminare
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Në të gjitha komunat ka përfunduar plotësisht votimi, ndërkaq në platformën online, sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, do të azhurohen më vonë edhe dy vendvotime për Mitrovicën e Jugut.
“Rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi të numëron votat e diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe votat me kusht”, tha ai.
Sa u përket votave nga diaspora, ai tha se pret që nga java e ardhshme ato të arrijnë në Kosovë dhe një javë më pas të përmbyllet numërimi i të gjitha votave.
Sipas rezultateve për rundin e balotazhit, LDK-ja ka fituar në pesë komuna, LVV-ja dhe AAK-ja në katër secila dhe PDK-ja në tre komuna.
Tahiri uron Pecin për fitoren në Mitrovicë të Jugut
Arian Tahiri i PDK-së ia ka uruar fitoren në Mitrovicë të Jugut kundërkandidatin e tij nga LVV-ja Faton Peci.
Përmes një bisede telefonike në një studio televizive kur u pyet nëse e uron Pecin, ai tha se “e uroj”.
Numërimi i votave në këtë komunë ende nuk ka përfunduar.