Ndërlidhjet

Zgjedhjet lokale në Kosovë, Prishtinë, 9 nëntor.
Zgjedhjet lokale në Kosovë, Prishtinë, 9 nëntor.

Drejtpërdrejt KQZ: Dalja deri në orën 17:00, mbi 27 për qind

E përditësuar

• Qytetarët në 18 komuna po votojnë për t’i zgjedhur kryetarët e tyre përkatës.

• Balotazhi po mbahet në disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani etj.

• Mbi 27 për qind e mbi 1 milion qytetarëve me të drejtë vote hodhën votën deri në orën 17:00.

• Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 7:00 deri në orën 19:00.

17:23

Mbi 27 për qind votuan deri në orën 17:00

Në bazë të 93.03 për qind të vendvotimeve të procesura, dalja në balotazh deri në orën 17:00 është mbi 27 për qind.

16:22

Partitë ftojnë qytetarët që të votojnë në balotazh

Partitë politike u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë për të zgjedhur kryetarët e tyre në 18 komunat ku po mbahet rundi i balotazhit.

Qytetarët do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës deri në orën 19:00.

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë orët e mbetura, duke argumentuar se “çdo votë ka peshë të jashtëzakonshme për demokracinë”.

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një konferencë për media, po ashtu bëri thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje.

Sipas saj, numri i votuesve pritet të rritet në orët e pasdites.

“Çdo votë është një vendim për të ardhmen dhe sot është dita që përcakton katër vjet”, tha ajo.

Edhe Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pati të njëjtën thirrje. Ai megjithatë tha se dalja deri më tani është e ulët krahasuar me rundin e parë të mbajtur më 12 tetor.

Si PDK ashtu edhe AAK thanë se kanë pranuar ankesa për çështjen e votimit me asistencë, ankesa që thanë se i kanë adresuar në KQZ.

Këto dy parti po ashtu kërkuan që qytetarët të lihen të lirë që të zgjedhin se kë duan të votojnë dhe të mos jenë subjekt i ndikimit gjatë këtij procesi zgjedhor.

Një qendër votimi në Prishtinë.
Një qendër votimi në Prishtinë.
15:58
15:43

KQZ thotë se dalja në zgjedhje është mbi 21 për qind

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 21 për qind e votuesve në 18 komunat.

Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore me rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor, dalja është më e ulët, tha kreu i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Gjatë konferencës për media, Radoniqi adresoi çështjen e votimit me asistencë për të cili tha se ka pasur disa ankesa.

Ai tha se votimi me asistencë është i garantuar me ligj për personat që kanë aftësi të kufizuara, përkatësisht ata që “nuk mund ta mbushin dhe hedhin fletëvotimin” në kuti.

“Kjo nuk nënkupton që në emër të kësaj të drejte të garantuar të abuzohet dhe në këtë kategori të hyjnë personat që nuk kanë aftësi të kufizuara”, tha ai.

Radoniqi shtoi se bazuar në Rregulloren zgjedhore të KQZ-së është vendosur që aftësia e kufizuar e një votuesi të dëshmohet me dokument përkatës.

I pyetur nëse personat që nuk dinë shkrim-lexim kanë të drejtë asistence, ai tha se kanë të drejtë të udhëzohen se si të votojnë, por nuk mund t’iu ofrohet ndihmë në kabinën e votimit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG