Ndërlidhjet

Një burrë i liruar nga mbajtja në Gazë, duke u përqafuar me gruan e tij.
Një burrë i liruar nga mbajtja në Gazë, duke u përqafuar me gruan e tij.

Pengjet izraelite lirohen, Trump dhe liderët botërorë nënshkruajnë planin për paqe në Gazë

• Sot janë liruar të gjitha pengjet e gjalla izraelite që kanë qenë në duart e Hamasit – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera - prej tetorit të vitit 2023. Po ashtu, Izraeli ka pranuar mbetjet mortore të katër pengjeve të vdekur.

• Në këmbim, Izraeli tha se ka liruar afër 2.000 palestinezë që ishin në burgjet izraelite.

• Presidenti amerikan, Donald Trump, ka qëndruar në Izrael gjatë ditës dhe ka mbajtur një fjalim në Parlamentin izraelit. Ai tha se se të gjithë janë dëshmitarë të një agimi historik të një Lindjeje të Mesme të re.

Më pas ai ka shkuar në Egjipt, në një samit ku morën pjesë mbi 20 udhëheqës botërorë. Gjatë samitit, ai the udhëheqësit e Katarit, Egjiptit dhe Turqisë nënshkruan planin për paqe në Gazë.

08:28 13.10.2025

Si nisi konflikti në Gazë?

Gjithçka ka filluar më 7 tetor të vitit 2023, kur militantë të Hamasit – grupit terrorist – e kanë sulmuar jugun e Izraelit, duke lënë të vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Izraeli, më pas, ka nisur fushatë ushtarake për ta shkatërruar Hamasin dhe për pasojë në Gazë besohet të kenë vdekur mbi 66 mijë persona, kryesisht gra dhe fëmijë.

Lufta e ka bërë pothuajse rrafsh me tokë Gazën dhe banorët janë në zi buke, sipas grupeve ndërkombëtare për ndihma.

Palët kanë një histori konfliktesh në të kaluarën. Më shumë hollësi në video.



08:32 13.10.2025

Ushtria izraelite i pranon pengjet e para

Ushtria e Izraelit ka bërë të ditur se i ka pranuar shtatë pengjet e para.

Ajo i ka publikuar emrat e tyre në rrjete sociale me mbishkrimin “Mirë se vini në shtëpi”.

Sapo të arrijnë në Izrael, pengjet do t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore, ka thënë ushtria.

Familjet po i presin me padurim njerëzit e tyre.
Familjet po i presin me padurim njerëzit e tyre.
08:40 13.10.2025

Çfarë parasheh plani i Trumpit?

Sipas planit, operacionet ushtarake janë ndalur në Gazë.

Hamasit i kërkohet shkatërrim i plotë i armëve.

Faza e parë e parasheh atë që po ndodh sot: lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Një tjetër pikë e rëndësishme ka të bëjë me dërgimin e ndihmave në Gazë, proces që tashmë ka nisur.

Shtetet e Bashkuara e kanë përmendur në plan edhe udhëheqjen e Gazës në të ardhmen.

Aty thuhet se “një komitet palestinez teknokratik dhe apolitik” do të qeverisë përkohësisht “me mbikëqyrje të një trupi ndërkombëtar, Bordi i Paqes” i cili do të drejtohet nga presidenti amerikan, Donald Trump. Në të do të marrin pjesë edhe liderë tjerë shtetesh.

Aty theksohet se Hamasi nuk duhet të ketë asnjë rol në qeverisje “direkte, jodirekte, apo të çfarëdo forme”.

Një pjesë e mirë në plan i është kushtuar atij që SHBA-ja e quan “plan për zhvillim ekonomik”, me qëllim të rindërtimit të Gazës. Aty përmendet se “Izraeli nuk do ta pushtojë apo aneksojë Gazën” dhe që forcat izraelite do të largohen nga territori në disa faza.

Plani e lë të hapur derën për një shtetësi palestineze.

08:48 13.10.2025

Presidenti Trump arrin në Izrael

Presidentit amerikan, Donald Trump, pritet t'i bëhet pritje madhështore në Izrael.

Tashmë shihet një qilim i kuq i shtruar për të në pistë. Të pranishëm janë edhe zyrtarë ushtarakë, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Ky i fundit ia ka përsëritur disa herë Trumpit se Izraeli nuk ka pasur kurrë mik më të mirë në krye të Shtëpisë së Bardhë.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG