“Agim historik” në Lindje të Mesme: Trump në Izrael teksa Hamasi i liron të gjitha pengjet e gjalla
Presidenti amerikan, Donald Trump, qëndroi në Izrael për të shënuar kthimin e 20 pengjeve izraelite në shtëpi, të cilat janë mbajtur nga Hamasi.
Më poshtë mund të shikoni një video përmbledhëse të qëndrimit të tij në Izrael dhe fjalimit në Parlamentin izraelit
Trump niset drejt Egjiptit
Presidenti amerikan, Donald Trump, është nisur nga Izraeli drejt Egjiptit, ku do të marrë pjesë në samitin për paqe që mbahet në Sharm el-Sheik.
Në këtë samit marrin pjesë udhëheqës nga shtetet e fuqishme botërore.
Udhëheqësit mblidhen në Egjipt
Teksa presidenti amerikan, Donald Trump, po përmbyll vizitën në Izrael, në Egjipt më shumë se 20 udhëheqës botërorë po mblidhen në Sharm el-Sheik.
Trump do t’i bashkohet samitit disa orë më vonë. Në mesin e udhëheqësve janë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ai i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri britanik, Keir Starmer.
Trump do të udhëheqë takimin së bashku me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, teksa udhëheqësit synojnë të finalizojnë marrëveshjen për përfundimin e luftës në Gazë.
Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ende nuk ka pranuar në tërësi planin 20 pikësh të Trumpit, edhe pse armëpushimi ka hyrë në fuqi dhe pengjet janë liruar.
Presidenti Trump përfundon fjalimin në Parlamentin izraelit
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përfunduar fjalimin e tij në Parlamentin izraelit, ku deklaroi se të gjithë janë dëshmitarë të një agimi historik të një Lindjeje të Mesme të re.
Trump e përmbylli fjalimin duke thënë se “që nga dita e parë kur u krijua Izraeli modern, ne kemi qëndruar së bashku në kohë të vështira dhe në fitore e humbje”.
“Dhe, gjatë kësaj jave, përkundër të gjitha, ne e kemi arritur të pamundurën dhe i sollëm pengjet në shtëpi”.
Gjatë qëndrimit në Izrael, ai do të takohet me familjarët e pengjeve, para se të niset për në Egjipt për të nisur një samit për paqe në Lindjen e Mesme. Në këtë samit pritet të marrin pjesë 20 udhëheqës të shteteve më të fuqishme në botë.
Para Parlamentit izraelit, Trump foli edhe se si shtetet e Lindjes së Mesme nuk duhet të krijojnë armiq, por të punojnë së bashku për të krijuar “mundësi dhe prosperitet”.
Sipas udhëheqësit amerikan “në vend që të krijojnë armë”, shtetet e këtij rajoni duhet të përqendrohen që të ndërtojnë shkolla, të investojnë në shëndetësi, industri dhe inteligjencë artificiale.
“Edhe ndaj Iranit, regjimi i të cilit ka shkaktuar aq shumë vdekje në Lindjen e Mesme, dora e miqësisë dhe bashkëpunimit është e zgjatur”, tha presidenti Trump.