Çfarë ndodhi deri më tani?
- Presidenti amerikan, Donald Trump, e shpalli agimin historik në Lindje të Mesme, teksa mbajti fjalim para Parlamentit të Izraelit.
- Ai e mbajti fjalimin pasi Hamasi – grup palestinez i shpallur terrorist – i liroi 20 pengjet e gjalla izraelite që i ka mbajtur prej tetorit të vitit 2023.
- Në kuadër të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Trumpi, Izraeli i liroi mijëra palestinezë që i ka mbajtur në burgje.
- Pavarësisht se tani ka armëpushim në Gazë, paqja afatgjatë duhet negociuar ende. Prandaj Trump takon sot në Egjipt 20 liderë shtetesh për të diskutuar paqen në gjithë Lindjen e Mesme.
Trump: Ky është agimi historik i një Lindjeje të Mesme të re
Përgjatë fjalimit, i cili është ndërprerë për pak, Trump ka thënë se të gjithë janë dëshmitarë të një agimi historik të një Lindjeje të Mesme të re.
Ai e ka falënderuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanayhu për bashkëpunimin, si dhe vendet arabe që i kanë lehtësuar negociatat.
Tani do të jetë “koha e artë për Izraelin, koha e artë për gjithë rajonin”, ka deklaruar Trump.
Trump nis fjalimin në Parlamentin e Izraelit
Presidenti amerikan, Donald Trump është pritur me duartrokitje dhe festë në Parlamentin e Izraelit në Jerusalem, teksa e ka nisur fjalimin.
“Vend i mirë, njëmend vend i mirë”, ka thënë ai.
“Jemi mbledhur në një ditë gëzimi të thellë dhe shprese të madhe”.
“Pas dy vjetëve të tmerrshëm në errësirë dhe robëri, 20 pengje guximtare po kthehen te familjet e tyre. Edhe 28 tjerë po vijnë në shtëpitë e tyre për të gjetur paqen në këtë vend të shenjtë”.
“Armët kanë rënë në heshtje dhe rajoni është në paqe”, ka thënë mes tjerash Trump.
Lot gëzimi dhe festë teksa palestinezët takojnë të burgosurit e liruar
Ndërkohë në Ramallah të Gazës kanë arritur dy autobusë me të burgosurit palestinezë që janë të liruar nga burgjet izraelite.
Nënat dhe baballarët janë parë duke qarë nga gëzimi pasi janë takuar me fëmijët e tyre.
Një pjesë e mirë e tyre kanë pasur dënime me burgime të përjetshme.
Disa janë parë me plagë dhe kanë pasur vështirësi që të ecin, andaj janë dërguar në spitalet e mbetura funksionale për t’u trajtuar.