SHBA-ja, Egjipti, Katari dhe Turqia nënshkruajnë dokument për marrëveshjen e Gazës
Në samitin për paqe në Egjipt, presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një dokument me Egjiptin, Turqinë dhe Katarin, për marrëveshjen e armëpushimit në Gazë.
Në këtë samit po marrin pjesë mbi 20 udhëheqës nga shtetet më të fuqishme të botës.
Në Egjipt, Trump nisi fjalimin duke treguar se çfarë dokumenti po nënshkruajnë.
“Ne do të nënshkruajmë një dokument që do të shpalosë detaje të shumë rregullave dhe gjëra të tjera. Është dokument shumë gjithëpërfshirës”, tha ai.
Ndërkaq, duke e nënshkruar dokumentin ai tha: “U deshën 3.000 vjet të arrinim në këtë pikë. A mund ta besoni? Do të respektohet”, tha ai.
Izraeli: Afër 2.000 palestinezë janë liruar nga burgjet izraelite
Shërbimi i burgjeve i Izraelit tha të hënën se ka liruar pothuajse 2.000 persona, shumica të ndaluar palestinezë, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit në Gazë.
Sipas njoftimit, “1.968 terroristë u transferuan nga disa burgje në mbarë vendin në burgjet Ofer dhe Ktziot. Pas miratimeve përkatëse, ata u liruan në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor”.
Ushtria izraelite: Mbetjet mortore të dy pengjeve i janë dorëzuar Kryqit të Kuq
Trupat e dy pengjeve të vdekura izraelite, që po mbaheshin në Gazë, i janë dorëzuar Kryqit të Kuq nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – tha ushtria izraelite.
Ushtria shtoi se mbetjet mortore edhe të dy pengjeve po ashtu pritet të transferohen.
“Sipas informacioneve të dhëna nga Kryqi i Kuq, dy arkivole me pengje të vdekur janë transferuar nën kujdesin e tyre dhe janë në rrugë drejt forcave [izraelite] në Rripin e Gazës”, tha ushtria izraelite.
Trump në Egjipt thotë se faza e dytë e bisedimeve për marrëveshjen ka nisur
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Egjipti ka luajtur “rol të rëndësishëm” për marrëveshjen për lirimin e pengjeve, teksa nisi takimin me kreun e shtetit, Abdel Fatal al-Sisi.
I pyetur nga gazetarët në Egjipt se kur do të nisin bisedimet për fazën e dytë të bisedimeve për planin e tij 20 pikësh për Gazën, Trump konfirmoi se ato veçse kanë nisur.
Ndërkaq, presidenti i Egjiptit tha se do që të sigurohet që armëpushimi në Gazë të respektohet.