Trump: Lutjet e miliona njerëzve më në fund janë dëgjuar
Pas Sisit, Trump nisi fjalimin e tij në konferencën e samitit për paqe. Ai tha se për këtë ditë njerëzit “kanë punuar, kanë shpresuar dhe janë lutur”.
Sipas udhëheqësit amerikan, “marrëveshja historike” që nënshkroi me udhëheqësit e shteteve të rajonit, nënkupton se “lutjet e miliona njerëzve më në fund janë dëgjuar”.
Trump dhe Egjipti, Katari dhe Turqia nënshkruan planin për paqe në Gazë, por po ashtu shtoi se me këtë është arritur edhe paqe në mbarë Lindjen e Mesme.
Sisi thotë se palestinezët “kanë të drejtë të jetojnë të lirë”
Presidenti i Egjiptit, Abdel Fatah al-Sisi, gjatë konferencës për media në Sharm el-Sheik, tha se palestinezët “kanë të drejtë për vetëvendosje dhe të aspirojnë për një të ardhme kur lufta të mos i ndjekë më”.
Sipas tij, palestinezët kanë të drejtë “të shijojnë lirinë dhe të jetojnë në një shtet të tyre të pavarur, një shtet që do të jetonte në paqe pranë Izraelit, me siguri dhe njohje të ndërsjellë”.
SHBA-ja, Egjipti, Katari dhe Turqia nënshkruajnë planin për paqe në Gazë
Në samitin për paqe në Egjipt, presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi dokumentin për planin për paqe në Gazë, me Egjiptin, Turqinë dhe Katarin.
Në këtë samit po marrin pjesë mbi 20 udhëheqës nga shtetet më të fuqishme të botës.
Në Egjipt, Trump nisi fjalimin duke treguar se çfarë dokumenti po nënshkruajnë.
“Ne do të nënshkruajmë një dokument që do të shpalosë detaje të shumë rregullave dhe gjëra të tjera. Është dokument shumë gjithëpërfshirës”, tha ai.
Ndërkaq, duke e nënshkruar dokumentin ai tha: “U deshën 3.000 vjet të arrinim në këtë pikë. A mund ta besoni? Do të respektohet”, tha ai.
Izraeli: Afër 2.000 palestinezë janë liruar nga burgjet izraelite
Shërbimi i burgjeve i Izraelit tha të hënën se ka liruar pothuajse 2.000 persona, shumica të ndaluar palestinezë, si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit në Gazë.
Sipas njoftimit, “1.968 terroristë u transferuan nga disa burgje në mbarë vendin në burgjet Ofer dhe Ktziot. Pas miratimeve përkatëse, ata u liruan në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor”.