Haradinaj: S’kemi votë për Haxhiun
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij nuk ka votë për Albulena Haxhiun.
Ai përsëriti qëndrimin se AAK-ja ka votë për emra të tjerë nga LVV-ja, sikurse ish-kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ish-nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ose deputetja Shqipe Selimi.
I pyetur nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda 30-ditëve, ai akuzoi LVV-në se nuk ka ndryshuar qëndrim dhe se po “vazhdon të mbajë peng Kosovën”.
Bajrami: Momenti i fundit që LVV-ja të propozojë kandidat tjetër
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të propozojë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit.
Pak para nisjes së seancës, Bajrami tha se LVV-ja duhet të reflektojë pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Ajo përmendi dy mënyra që, sipas saj, çojnë në zgjidhjen e situatës: me konsensus për një kandidat të pranueshëm nga ana e Vetëvendosjes ose me marrëveshje politike.
Rexhepi: E respektoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Zëvendëskryeministrja në detyrë nga radhët e komunitetit boshnjak, Emilija Rexhepi, tha se e respekton aktgjykimin e Kushtetueses, duke shtuar se do të votojë kandidaten e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun.
Në pyetjen se a do të konstituohet Kuvendi brenda 30 ditësh, ajo është përgjigjur me “ndoshta”.
Çfarë vendosi Kushtetuesja për zgjedhjen e kryeparlamentarit?
Në videon e mëposhtme, gjeni të përmbledhur vendimin e Kushtetueses sa i përket zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri.