Përshëndetje të nderuar lexues,
Po e nisim mbulimin e drejtpërdrejt të vazhdimit të seancës konstitutive të përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Caktimi i vazhdimit të kësaj seance vjen pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me çështjen e ngërçit në Kuvend më 18 gusht.
Prej të hënës ka nisur afati 30-ditor, brenda të cilit, Gjykata urdhëroi deputetët që të konstituonin Kuvendin.
Sipas vendimit, seanca duhet të vazhdojë në pikën e tretë, atë të zgjedhjes së kryeparlamentarit. Votimi për kreun e ri të organit ligjvënës duhet të bëhet përmes votimit të hapur dhe një emri i një kandidati nuk mund të hidhet në votim më shumë se tri herë.
Qëndroni me ne!
Qëndrimet e partive për aktgjykimin e Kushtetueses
Kushtetuesja fillimisht publikoi më 8 gusht njoftimin për vendimin e saj lidhur me lëndët e dërguara nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Edhe pas njoftimit, por edhe pas publikimit të aktgjykimit të plotë, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, e mirëpritën vendimin. Por, ai u kritikua nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
Pas publikimit të aktgjykimit, LVV-ja tha se Gjykata Kushtetuese shkroi “një rregull të ri” dhe tejkaloi juridiksionin e saj.
“Në bazë të ‘tezës’ së analogjisë me zgjedhjet e institucioneve të tjera, duket se Gjykata po përgatit terrenin për dhënien e së drejtës së propozimit ndonjë partie tjetër pas 30 ditëve, nëse dështon partia e parë për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, tha LVV-ja.
PDK-ja e mirëpriti aktgjykimin dhe theksoi se vendi ka nevojë për institucione funksionale, e jo zvarritje të procesit për formimin e tyre.
“Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, tha kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
LDK-ja, ndërkaq, theksoi se mosrespektimi i vendimit të Kushtetueses “nuk është opsion”.
“Nuk do ta lejojmë asnjë përbuzje të shtetit dhe Republikës. Në këtë vend, mbi Kushtetutë nuk ngrihet askush”, tha udhëheqësi i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
LVV-ja insiston në Haxhiun
Në seancën e sotme, LVV-ja – që e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar – sërish do ta propozojë Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit.
Nga PDK-ja thanë më 19 gusht për Radion Evropa e Lirë se sërish nuk do të votojnë për Haxhiun. Qëndrim për Haxhiun nuk ka ndryshuar as LDK-ja dhe AAK-ja.
Në të kaluarën, këto parti – që mandatin e kaluar ishin në opozitë – e kanë cilësuar Haxhiun si figurë “përçarëse” dhe kanë kërkuar nga LVV-ja që të ndryshojë propozimin për kryeparlamentar.
Çerkini thotë se mosrespektimi i afatit është shkelje kushtetuese
Profesori i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mosrespektimi i afatit 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese do të përbënte shkelje të normave kushtetuese.
“Dështimi i konstituimit nuk mund të përdoret si arsye e drejtpërdrejtë për zgjedhje të reja; është më tepër një problem që duhet të zgjidhet brenda mekanizmave të vetë Kuvendit dhe me orientim të qartë nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ai.
Në aktgjykim nuk janë përcaktuar pasojat e mundshme juridike për deputetët, në rast se ata – për herë të dytë – nuk do të respektonin vendimin.
Çerkini tha se nëse shkelet afati 30-ditor, atëherë “kemi një situatë të re kushtetuese që kërkon qartësim institucional”.
"Në një rast të tillë, është e pritshme që presidentja ose ndonjë subjekt tjetër i autorizuar ta rikthejë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim shtesë mbi hapat e mëtejmë".
Më poshtë mund të gjeni intervistën e plotë: