Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kuvendi s'i voton Haxhiun e Gërvallën për kryeparlamentare

• Më 20 gusht, Kuvendi i Kosovës votoi për dy kandidate për kryeparlamentare, por as Albulena Haxhiu, e as Donika Gërvalla nuk morën 61 votat e nevojshme.

• Vazhdimi i seancës konstituive u mbajt pasi Gjykata Kushtetuese urdhëroi deputetët që brenda 30-ditësh – duke nisur nga 18 gushti – të themelojnë organin ligjvënës.

• Votimi për kryeparlamentarin u bë në mënyrë të hapur dhe, sipas vendimit, një kandidat mund të hidhet në votim vetëm deri tri herë.

10:37 20.8.2025

Bugaqku: Shqetësimet e LVV-së se mund t’i merret e drejta e propozimit janë të bazuara

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës i ka thënë më herët REL-it se shqetësimet e LVV-së se e drejta për propozimin e kryeparlamentarit mund t’i kalojë një partie të dytë, janë të bazuara.

“Kjo e drejtë mund të ndryshojë vetëm në një situatë - nëse grupi më i madh parlamentar e keqpërdor të drejtën e propozimit për kryetar Kuvendi, si një mundësi për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit”, deklaroi Bugaqku më 19 gusht.

Ai po ashtu u shpreh se nëse nuk respektohet afati i vendosur nga Kushtetuesja, Gjykata e ka për obligim t’i sqarojë pasojat juridike.

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, dhe e propozuara e kësaj partie për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në një nga vazhdimet e seancës konstituive. 21 korrik 2025.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, dhe e propozuara e kësaj partie për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në një nga vazhdimet e seancës konstituive. 21 korrik 2025.
10:25 20.8.2025

Nura: Shpresoj që LVV-ja do të nxjerrë një figurë unifikuese për kryeparlamentar

Para nisjes së seancës, deputeti i PDK-së, Jakup Nura, tha se shpreson që LVV-ja të nxjerrë një figurë “unifikuese” për postin e kryeparlamentarit.

“E kemi një situatë të qartë. Mendoj që LVV-ja ka pasur kohë të reflektojë dhe të shohë dëmin që ka shkaktuar me moszgjedhjen e kryeparlamentarit. Shpresoj që dp të nxjerrë një figurë më unifikuese”, tha ai.

Nura shtoi se PDK-ja e ka thënë në të kaluarën ka deklaruar se do të votojë “një figurë që nuk është e implikuar në korrupsion”.

10:12 20.8.2025

Çerkini thotë se mosrespektimi i afatit është shkelje kushtetuese

Profesori i të Drejtës Kushtetuese në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mosrespektimi i afatit 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese do të përbënte shkelje të normave kushtetuese.

“Dështimi i konstituimit nuk mund të përdoret si arsye e drejtpërdrejtë për zgjedhje të reja; është më tepër një problem që duhet të zgjidhet brenda mekanizmave të vetë Kuvendit dhe me orientim të qartë nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ai.

Në aktgjykim nuk janë përcaktuar pasojat e mundshme juridike për deputetët, në rast se ata – për herë të dytë – nuk do të respektonin vendimin.

Çerkini tha se nëse shkelet afati 30-ditor, atëherë “kemi një situatë të re kushtetuese që kërkon qartësim institucional”.

"Në një rast të tillë, është e pritshme që presidentja ose ndonjë subjekt tjetër i autorizuar ta rikthejë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për interpretim shtesë mbi hapat e mëtejmë".

Më poshtë mund të gjeni intervistën e plotë:

09:51 20.8.2025

LVV-ja insiston në Haxhiun

Në seancën e sotme, LVV-ja – që e ka të drejtën ekskluzive të propozimit të kandidatit për kryeparlamentar – sërish do ta propozojë Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit.

Nga PDK-ja thanë më 19 gusht për Radion Evropa e Lirë se sërish nuk do të votojnë për Haxhiun. Qëndrim për Haxhiun nuk ka ndryshuar as LDK-ja dhe AAK-ja.

Në të kaluarën, këto parti – që mandatin e kaluar ishin në opozitë – e kanë cilësuar Haxhiun si figurë “përçarëse” dhe kanë kërkuar nga LVV-ja që të ndryshojë propozimin për kryeparlamentar.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG