Ndërlidhjet

Glauk Konjufca në fjalimin para deputetëve.
Glauk Konjufca në fjalimin para deputetëve.

Konjufca dështon ta bëjë Qeverinë, hapet rruga për zgjedhje

• Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, nuk i siguroi votat e nevojshme për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.

•Konjufca ishte figura e dytë e LVV-së, pas liderit të partisë, Albin Kurtit, që nuk i siguroi votat e nevojshme.

•Sipas Kushtetutës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

• Më herët gjtë ditës, LVV-ja thirri një tjetër seancë për miratim të katër projektligjeve të rëndësishme për vendin - përfshirë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm dhe marrëveshjet ndërkombëtare - por vota të mjaftueshme nuk pati.

• Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha i mbylli diskutimet, por e la të hapur seancën, duke iu kërkuar deputetëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, që të reflektojnë edhe të votojnë më vonë për to.

• Partitë ish-opozitare i bojkotuan diskutimet dhe e fajësuan LVV-në për humbjen potenciale të miliona eurove nga fondet e huaja.

• Kosova është me Qeveri në detyrë, në mungesë të një ekzekutivi të ri, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

11:13

Çitaku: Kjo seancë është e paligjshme

Deputetja Vlora Çitaku tha për media në Kuvend se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën për buxhetin.

“Kjo seancë, edhe sikur mos të ishte skemë për ta mbuluar krizën në të cilën po e fut vendin Qeveria në ikje, është e paligjshme dhe tërësisht në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës”, tha Çitaku.

Ajo tha se kjo seancë është “farsë, nuk është zgjidhje, por tentim për ta mbuluar dështimin”, nga Lëvizja Vetëvendosje.

11:22

Zemaj: LDK-ja nuk merr pjesë në këtë proces të papërgjegjshëm

Deputeti Armend Zemaj tha se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën për buxhetin, pasi ajo nuk ishte thirrur me konsultim paraprak dhe se si e tillë është në shpërputhje me rendin kushtetues.

Ai tha se pikat e rendit të ditës është dashur të kalonin nëpërmjet një diskutimi serioz paraprak.

“Kjo seancë nuk është asgjë tjetër përveçse mjet i zakonshëm populist dhe veprim politik me të cilin LVV është mësuar të veprojë”, tha ai.

“Për ta fshehur mungesën e numrave për krijimin e institucioneve, sot po provohet treni i fundit, një seancë e paligjshme, jologjike dhe plotësisht në kundërshtim me rendin kushtetues dhe me logjiken dhe praktikën parlamentare, vetëm që Kurti dhe LVV të zhveshen nga përgjegjësitë e tyre”, shtoi Zemaj.

11:28

Nis seanca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, e nisi seancën.

Të pranishëm në sallë janë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe disa nga pakicat joserbe, gjë që pritet që seanca të dështojë.

11:39

Basha: Jam i hapur për takim me partitë lidhur me formimin e komisioneve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, tha gjatë seancës se është i gatshëm që sa më parë ta thërrasë një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit me përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike.

“Të vazhdojmë së paku me formimin e katër komisioneve të përhershme dhe, në këtë mënyrë, të mundësohet votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, buxhetit vjetor, buxhetit të tri komunave dhe i raportit të RTK-së për t’ia ndarë mjetet transmetuesit publik”, tha Basha.

Ai nguli këmbë se çështjet e kësaj seance “nuk kanë të bëjnë me veprime politike”.

“Prandaj, përsëri u bëj thirrje të gjitha subjekteve politike t’i analizojnë me maturi në kontekst të rrethanave shtetërore që gjendemi dhe pritet e qytetarëve tanë, të cilët nuk e meritojnë ta pamundësojnë votimin e këtyre ligjeve jetike për shkak të inateve të paarsyeshme politike”, tha Basha.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG