Ndërlidhjet

Glauk Konjufca në fjalimin para deputetëve.
Glauk Konjufca në fjalimin para deputetëve.

Konjufca dështon ta bëjë Qeverinë, hapet rruga për zgjedhje

• Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, nuk i siguroi votat e nevojshme për të formuar Qeverinë e re të Kosovës.

•Konjufca ishte figura e dytë e LVV-së, pas liderit të partisë, Albin Kurtit, që nuk i siguroi votat e nevojshme.

•Sipas Kushtetutës, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme.

• Më herët gjtë ditës, LVV-ja thirri një tjetër seancë për miratim të katër projektligjeve të rëndësishme për vendin - përfshirë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm dhe marrëveshjet ndërkombëtare - por vota të mjaftueshme nuk pati.

• Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha i mbylli diskutimet, por e la të hapur seancën, duke iu kërkuar deputetëve të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, që të reflektojnë edhe të votojnë më vonë për to.

• Partitë ish-opozitare i bojkotuan diskutimet dhe e fajësuan LVV-në për humbjen potenciale të miliona eurove nga fondet e huaja.

• Kosova është me Qeveri në detyrë, në mungesë të një ekzekutivi të ri, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

10:30

Përshëndetje të dashur lexues,

Radio Evropa e Lirë do t‘i mbulojë drejtpërdrejt zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, ku do të mbahen dy seanca të ndara, e para e thirrur për votimin e buxhetit të shtetit për vitin 2026, si dhe tjetra për votimin e një qeverie të re.

Për të qenë të informuar në kohë reale për këto zhvillime, na ndiqni!

10:37

Çfarë pritet të ndodh sot në Kuvend?

Kuvendi pritet të mblidhet fillimisht në orën 11:00, ku janë paralajmëruar disa pika të rendit të ditës, si formimi i komisioneve parlamentare, më pas shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna të Kosovës, Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok, çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kjo seancë u thirr pasi grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e dorëzoi kërkesën me 40 nënshkrime për këtë seancë.

Megjithatë, disa prej partive më të mëdha, si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kanë thënë se do ta bojkotojnë atë.

Ndërkohë, seanca e dytë është thirrur për orën 14:00, në të cilën Glauk Konjufca i Lëvizjes Vetëvendosje do ta kërkojë votën për formimin e qeverisë së re.

10:55

Pse po kundërshtohet seanca e orës 11:00?

Deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se LVV-ja kërkon mbështetjen e të gjitha partive për votimin e nëntë pikave të rendit të ditës, pasi argumentoi se ato “nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim”.

Megjithatë, PDK, LDK, AAK dhe Nisma thanë se nuk do të marrin pjesë.

Ndërsa, Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se seanca e thirrur për orën 11:00 përbën shkelje kushtetuese.

IKD-ja tha se pikat e rendit të ditës si, formimi i komisioneve parlamentare, shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna të Kosovës, çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare, janë proceduar “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën, praktikën parlamentare, Ligjin për Qeverinë, Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare, Ligjin për Nismat Legjislative dhe me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

“Përpjekja për formimin e komisioneve parlamentare pa u formuar Qeveria cenon rëndë vlerat e demokracisë parlamentare dhe shkatërron rendin kushtetues dhe juridik në Republikën e Kosovës”, tha IKD-ja në një njoftim.

11:02

Murati: Kosova humb mbi 200 milionë euro, nëse s’i ratifikojmë marrëveshjet ndërkombëtare

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, bëri thirrje që të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.

Ai shkroi në Facebook se, nëse Kuvendi sot nuk arrin t’i ratifikojë marrëveshjet ndërkombëtare, “atëherë mbi 200 milionë euro humbin pakthyeshëm: 88 milionë nga plani i rritjes i BE-së, dhe mbi 120 milionë euro nga tri marrëveshjet me Bankën Botërore”.

Për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiten 80 vota.

Sa për dijeni, Lëvizja Vetëvendosje ka 48 deputetë dhe në mungesë të partive të tjera shqiptare, si PDK, LDK, AAK dhe Nisma, atëherë Vetëvendosje nuk do t’i ketë votat për t’i kaluar këto marrëveshje.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG