Lexues të nderuar,
Këtu po e përmbyllim mbulimin e dy seancave plenare, e para për buxhetin dhe marrëveshje ndërkombëtare, dhe e dyta për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Mandatari Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje dështoi të formonte Qeverinë e re, duke mos arritur të siguronte 61 votat e nevojshme.
Moszgjedhja e Qeverisë për herë të dytë, bën që të hapet rruga drejt zgjedhjeve të reja.
LVV-ja dhe partitë e tjera, që mandatin e kaluar ishin në opozitë, ia hodhën fajin njëra-tjetrës për dështimin e zgjedhjes së Qeverisë, por edhe për votimin e buxhetit dhe çështjeve të tjera.
Sipas Kushtetutës, pas dy dështimeve për zgjedhjen e ekzekutivit, vendi duhet të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ndërkaq, vëzhguesit i thanë Radios Evropa e Lirë se ky dështim për formimin e institucioneve të reja pasqyron degradimin e jetës politike dhe mungesën e përgjegjësisë nga të gjitha partitë në vend.
Në videon e mëposhtme mund të shikoni, të përmbledhur, se çfarë ndodhi sot në Kuvend:
Faleminderit që na ndoqët!
Kur do të mbahen zgjedhjet e reja?
Kemi kërkuar një koment prej Zyrës së Presidencës për të kuptuar se kur mund të shpallen zgjedhjet e reja.
Do t'ju mbajmë të informuar sapo të kemi një përgjigje.
Deri më tani, si datë e mundshme është përmendur 28 dhjetori, edhe për shkak të pranisë së madhe të diasporës në Kosovë.
Por, për njohësit e çështjeve politike, kjo datë është shume e vonshme, pasi ka rrezik që procesin zgjedhor të mos e monitorojë faktori ndërkombëtar, meqë një pjesë e botës është në kohë festash atëherë.
Murati akuzon partitë se janë “barrikaduar kundër Albin Kurtit”
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, akuzoi partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë, si dhe Listën Serbe se për 9 muaj “janë barrikaduar kundër Albin Kurtit”.
“Ata thanë që nuk duan të votojnë as buxhet dhe as marrëveshje ndërkombëtare pa Qeveri, por kur ju ofrua mundësia të votonin Qeverinë, përsëri e refuzuan. Opozitë e përbashkuar me një qëllim të vetëm: kundërshtimin e Albin Kurtit”, tha Murati, pas seancës për Qeverinë.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Krasniqi: Osmani të shpallë zgjedhjet sa më shpejt
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, kërkoi nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, që sa më shpejt të shpallë datën e zgjedhjeve të reja “që të mos humbet kohë e vlefshme edhe më tej”.
“Zgjedhjet të shpallen menjëherë, sot apo nesër”, tha Krasniqi.
Ai tha se "e diela e parë brenda 30-ditëshit, afatit kushtetues" është koha për mbajtjen e zgjedhjeve, tha Krasniqi.
Ai e akuzoi LVV-në për situatën e krijuar, duke thënë se “janë humbur 9 muaj kohë” për shkak të bllokadave, vonesave dhe taktizimeve.