Zemaj: LVV-ja mashtroi qytetarët duke thënë se i ka numrat
Pas përfundimit të seancës, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha se LVV-ja “i mashtroi qytetarët” duke thënë se i ka numrat për krijimin e institucioneve të reja.
“LVV-ja i ka mashtruar qytetarët se i kanë numrat. Nga zgjedhjet e shkurtit kanë deklaruar se e kanë një shumicë”, tha ai.
Zemaj tha se tani vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Bëjmë thirrje për zgjedhje të lira, demokratike dhe pa ndërhyrje”, tha ai.
Konjufca dështon ta bëjë Qeverinë
Mandatari Glauk Konjufca ka dështuar që ta formojë Qeverinë e re të Kosovës, pasi ekzekutivi i prezantuar nga ai mori vetëm 56 vota për, 53 votuan kundër dhe katër abstenuan.
Me dështimin e dytë për formimin e ekzekutivit, hapet rruga për zgjedhje të reja.
Haradinaj: LVV-ja do të shkojë në opozitë
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, kritikoi Konjufcën që nuk paraqiti një program qeveritar, duke theksuar se ai përmendi vetëm vitin 2026.
Ai tha se LVV-ja “do të shkojë në opozitë” pas zgjedhjeve të reja.
“Ju po shkoni në opozitë, Qeveria e re po vjen”, tha ai.
Lista Serbe thotë se s'ka votë për Qeverinë Konjufca
Igor Simiq nga Lista Serbe akuzoi LVV-në se ka shkelur të gjitha "rregullat" gjatë qeverisjes, duke theksuar se partia që ka nëntë deputetë nuk do të votojë për Qeverinë Konjufca.