Verica Qeraniq nuk siguron asnjë votë as herën e dytë
As në votimin e dytë, Verica Qeraniq nuk i ka siguruar votat e nevojshme për t'u zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga pakicat serbe.
Sikurse herën e parë, ajo nuk e ka siguruar asnjë votë për.
Asnjë votë për Verica Qeraniqin
Kryetari Dimal Basha e ka hedhur në votim emrin e Verica Qeraniqit për pozitën e nënkryetares nga pakicat serbe, mirëpo ajo nuk e ka siguruar asnjë votë.
Në sallë kanë qenë 94 deputetë.
Lista Serbe refuzon të marrë pjesë në hedhjen e shortit
Pavarësisht refuzimit të Listës Serbe që të marrë pjesë në hedhjen e shortit për të zgjedhur nënkryetarin serb, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka vazhduar procedurën.
Ai ka thënë se emri i secilit deputet që del nga shorti do të votohet dhe duhet t’i sigurojë 61 vota për t’u zgjedhur nënkryetar.
Lulzim Peci: Loja që u zhvillua në KQZ po vazhdon në Kuvendin e Kosovës
Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) në Prishtinë, shkroi në Facebook se edhe nëse Nenad Rashiq zgjidhet nënkryetar, “ka shumë gjasa që Gjykata Kushtetuese të konstatojë se Kuvendi sot nuk është konstituar ligjërisht”.
Sipas tij, loja që u zhvillua në KQZ, kur u votua të mos certifikohet Lista Serbe për zgjedhjet lokale, po vazhdon në Kuvendin e Kosovës, “dhe kjo, për mobilizimin e militantëve në prag të zgjedhjeve lokale”.
“Mbi të gjitha, patriotizmi — pa të cilin kjo fjalë, që tashmë “shitet lirë”, nuk ka kuptim — është, para së gjithash, respektimi i ligjeve dhe i Kushtetutës së vendit; gjithçka tjetër është vetëm populizëm i lodhur. Kjo vlen për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, veçanërisht për kryetarin e sapozgjedhur, Basha”.