Igor Simiq propozon një orë pushim për konsultime
Kryetari i Kuvendit po konsultohet me përfaqësues të partive politike, pas kërkesës së Igor Simiqit që të ketë një orë pushim, meqë nuk po arrihet pajtueshmëri për të zgjedhur Sllavko Simiqin në pozitën e nënkryetarit.
Çfarë thotë rregullorja e Kuvendit për propozimin me short?
Pika shtatë përcakton se në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6, propozimi i kandidatëve bëhet me short, në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse.
Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit.
Emri i Sllavko Simiqit sërish në votim, Basha ia përmend aktgjykimin e Kushtetueses
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i ka thënë Igor Simiqit se emri i një kandidati mund të propozohet vetëm tri herë, duke e arsyetuar deklaratën e tij me aktgjykimin e disa ditëve më parë të Gjykatës Kushtetuese se partia fituese e zgjedhjeve mund ta propozojë një kandidat vetëm deri në tre herë.
Ai ka thënë se aktgjykimi është në shërbim të parandalimit të ngërçit në Kuvend.
Megjithatë, Simiq ka insistuar në emrin e Sllavko Simiqit, duke thënë se vendimi vlen për kryetarin, por jo edhe për nënkryetarët.
Nëse nuk ndryshohet emri, Basha ka paralajmëruar propozimin me short.
Sllavko Simiq propozohet për herë të tretë, sërish dështon
Igor Simiq ka thënë herën e tretë para Kuvendit se Sllavko Simiq është i propozuari i tyre.
Rezultati ka qenë i njëjtë, ai nuk i ka siguruar votat e nevojshme për t'u zgjedhur nënkryetar.