Bugaqku: Votimi për nënkryetarët e Kuvendit duhet të bëhet në pako
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë përmes një postimi në Facebook se votimi për nënkryetarët e Kuvendit duhet të bëhet në pako.
“Nëse tentohet të ndryshohet kjo procedurë dhe të votohet ndaras për pozitat e nënkryetarëve, kjo paraqet tendencë për shmangien e procedurës së përcaktuar në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit, dhe rrjedhimisht do të përbënte shkelje të Kushtetutës”, ka thënë ai.
Emilija Rexhepi zgjidhet nënkryetare nga pakicat joserbe
Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare nga pakicat joserbe.
Për të kanë votuar 71 deputetë, një kundër dhe 23 kanë abstenuar.
Ajo do ta mbajë këtë pozitë me rotacion me Fidan Jilltan dhe Artan Asllanin.
Miftaraj: Rashiq nuk ka të drejtë ta propozojë veten për nënkryetar
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) tha për Radion Evropa e Lirë se Nenad Rashiq nuk ka të drejtë ta propozojë veten për nënkryetar të Kuvendit.
“Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe praktikës së mëhershme, propozimet për nënkryetarë të komuniteteve joshumicë bëhen me shkrim”.
Në këtë rast, shumicën e ka Lista Serbe, e cila ka 9 deputetë.
Për më tepër, neni 12 i Rregullorës së Kuvendit është shumë i qartë lidhur me propozimin me shkrim dhe kërkesën që propozimi të bëhet nga shumica e deputetëve joshumicë.
Çfarë thotë Kushtetuta për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve?
Neni 67, pika 4 e Kushtetutës së Kosovës thotë:
“Dy nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.
Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet të rezervuara ose të garantuara të komunitetit Serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë”.