Trump: Izraeli nuk do ta sulmojë më Iranin
Presidenti Donald Trump ka folur më shumë rreth armëpushimit të lëkundur mes Izraelit dhe Iranit.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se Izraeli do t’i “kthejë mbrapsht” avionët e vet dhe do t’i ndalë sulmet.
Derisa u bëri thirrje të dyja palëve ta zbatojnë armëpushimin, Trump shkroi në rrjetet sociale: “IZRAELI nuk do ta sulmojë IRANIN. Të gjithë avionët do të kthehen dhe do të nisen drejt shtëpisë, duke bërë një ‘Përshëndetje Miqësore me Avion’ ndaj Iranit. Askush nuk do të lëndohet, armëpushimi është në fuqi!”
Më herët, duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për samitin e NATO-s në Hagë, Trump shprehu zhgënjimin e tij për sulmet e vazhdueshme.
Nga sulmet ajrore deri te akuzat për prishje të armëpushimit...
Në një përshkallëzim të paprecedentë që tronditi Lindjen e Mesme dhe vuri botën në prag të një lufte të gjerë rajonale, Izraeli, Irani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u përfshinë në një konflikt intensiv që zgjati dymbëdhjetë ditë.
Ai që nisi si një sulm i befasishëm izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane, u kthye në një përplasje me dronë, raketa dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta amerikane.
Nga sulmet ajrore deri te akuzat për prishje të armëpushimit, i hedhim një vështrim retrospektiv ngjarjeve kryesore:
Trump qorton Izraelin
Pak pasi deklaroi se Izraeli dhe Irani kishin shkelur marrëveshjen e armëpushimit që ai kishte ndërmjetësuar, presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi Izraelin të mos lëshojë më bomba në Iran.
"IZRAEL. MOS I LËSHO ATO BOMBA. NËSE E BËN, ËSHTË SHKELJE E MADHE. KTHE PILOTËT NË SHTËPI, TANI! DONALD J. TRUMP, PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA", shkroi ai në platformën Truth Social.
Trump tha, më herët, para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, se Izraeli duhet "të qetësohet".
"Izraeli, sapo ne e arritëm marrëveshjen, doli dhe lëshoi një mori bombash, aso që kurrë s'i kisha parë më herët, sasinë më të madhe që kemi parë", u shpreh Trump.
"Ne, praktikisht, kemi dy vende që po luftojnë që një kohë të gjatë dhe aq fort, saqë ato nuk e dinë se çfarë dreqin po bëjnë", deklaroi presidenti amerikan.
Trump thotë se Izraeli dhe Irani e shkelën armëpushimin me sulme
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se si Izraeli, ashtu edhe Irani kanë shkelur kushtet e armëpushimit, me sulmet e ndërmarra pas një afati për ndërprerjen e armiqësive në mëngjesin e së martës.
Trump e bëri këtë deklaratë para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, para se të nisej për një samit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), në Hagë të Holandës.
Ai shprehu zhgënjimin e tij me vazhdimin e sulmeve.
"Ata [iranianët] e kanë shkelur atë [armëpushimin], por edhe Izraeli e ka shkelur", deklaroi Trump.
"Nuk jam i kënaqur me Izraelin", tha presidenti amerikan.