Ndërlidhjet

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark.
Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark.

Çfarë tha Clark në ditën e parë të dëshmisë në Hagë?

• Wesley Clark, gjeneral i pensionuar amerikan, dëshmoi në mbrojtje të Hashim Thaçit në Hagë.

• Ai tha se Thaçi nuk e udhëhiqte UÇK-në dhe se organizata nuk kishte zinxhir komandues.

• Clark e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.

• Gjyqi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit po shkon drejt përfundimit.

• Që të gjithë i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës së viteve 1998–1999.

10:44 17.11.2025

Përshëndetje të dashur lexues,

Radio Evropa e Lirë do ta mbulojë drejtpërdrejt dëshminë e gjeneralit të pensionuar amerikan, Wesley Clark, në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Për të qenë të informuar në kohë reale për dëshminë e tij, na ndiqni!

10:47 17.11.2025

Kush është Wesley Clark?

Wesley Clark është një gjeneral i pensionuar amerikan. Gjatë karrierës së tij, ndër të tjera, ai e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.

Clark shërbeu si komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë për NATO-n nga viti 1997 deri në vitin 2000.

Wesley Clark
Wesley Clark

Ai kaloi 34 vjet në Ushtrinë Amerikane, duke marrë shumë dekorata ushtarake, disa tituj nderi dhe Medaljen Presidenciale të Lirisë.

Fushata e sulmeve të NATO-s, që zgjati 11 javë, nisi për ta ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, dhe u ndërpre në qershor të vitit 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Ajo çoi në përfundimin e vrasjeve dhe përfundimisht, vite më vonë, në pavarësimin e Kosovës.

Clark shihet si hero në Kosovë për rolin e tij në çlirimin e vendit dhe për këtë ai është nderuar në Prishtinë në vitin 2024 me një dekoratë. Në Kosovë madje ka edhe rrugë të emëruara në nderim të tij.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë disa vite më vonë, ai tha se NATO-ja bëri gjënë e duhur kur ndërhyri.

“... veprimi u ndërmor, sepse po shihnim fillimin e një përsëritjeje të pastrimit etnik në Ballkan. Kjo ishte arsyeja që shtyu NATO-n të vepronte. Nuk ishte thjesht një veprim humanitar, por një veprim për të parandaluar një katastrofë humanitare, që po zhvillohej para syve tanë”, tha ish-komandanti suprem i Forcave Aleate të NATO-s.

12:48 17.11.2025

Seanca po fillon tani.

Që të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

12:53 17.11.2025

Clark, dëshmitari i fundit në mbrojtjen e Thaçit

Clark do të jetë i fundit që do të dëshmojë në të mirë të Thaçit, mbrojtja e të cilit e filloi thirrjen e dëshmitarëve në shtator.

Deri tani, në mbrojtje të Thaçit kanë dëshmuar ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams, ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, diplomati i pensionuar amerikan, Christopher Hill, si dhe Mike Durkee, këshilltar i gjeneralit Clark më 1999.

Që të gjithë thanë në dëshmitë e tyre se Thaçi nuk kishte autoritet mbi UÇK.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG